Irani ka ekzekutuar dy burra të akuzuar për kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare. Sipas agjencisë Mizan, njëri prej tyre, Rouzbeh Vadi, u dënua për spiunazh në favor të Izraelit.
Ai dyshohet se ka transmetuar informacion të klasifikuar te Mossad përmes kontakteve në Vjenë, që ndihmuan në sulme ndaj objektivave bërthamore iraniane.
Personi tjetër, Mehdi Asgharzadeh, u ekzekutua si anëtar i dyshuar i ISIS.
Ai kishte marrë trajnim ushtarak në Siri e Irak dhe hyri ilegalisht në Iran për të organizuar sabotime, por u kap pas një përleshjeje me forcat iraniane.
Ekzekutimet vijnë mes një vale shtimi të masave të sigurisë në vend. Sipas OKB, gjatë vitit të kaluar u shënuan 901 ekzekutime në Iran, niveli më i lartë që nga 2015.
Amnesty International bën thirrje për ndalimin e dënimit me vdekje.