Ish-ylli i Chelseat dhe Brazilit, David Luiz, ka bërë një rikthim befasues në futbollin evropian duke u bashkuar me skuadrën e Pafos në Qipro.
Mbrojtësi u largua nga Evropa në vitin 2021 pas dy sezonesh me Arsenalin. Ai u aktivizua në disa periudha me klubet braziliane Flamengo dhe Fortaleza, por tani është rikthyer në Evropë në moshën 38-vjeçare.
Luiz, i cili nënshkroi për skuadrën braziliane , Fortaleza, në janar të vitit 2025 me një kontratë njëvjeçare, e ndërpreu atë me marrëveshje të ndërsjellë më 1 gusht, përpara se të siguronte transferimin në Pafos të Qipros.
Ai ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin, i cili do të marrë pjesë në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
“Pafos FC është krenar të njoftojë nënshkrimin e ikonës së futbollit brazilian, David Luiz, i cili i bashkohet klubit me një kontratë deri në vitin 2027”.
“Kjo lëvizje historike përbën momentin më të rëndësishëm në historinë e futbollit qipriot – ardhja e një superylli global, emri i të cilit ka jehuar në stadiumet më të mëdha të botës”, thuhej në deklaratën e klubit qipriot.
Luiz ndërpreu parakohe kontratën me Fortalezan pas vështirësive për të fituar minuta nën drejtimin e trajnerit Renato Paiva, për shkak të dëmtimeve të shpeshta. Ai pati vetëm 17 paraqitje me klubin.
Mbrojtësi veteran është rikthyer tani në Evropë pas katër vitesh mungesë dhe pritet të garojë sërish në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit 2025/2026.