Kriza në Kosovë: Gjykata vendosi masë ndalimi, Kuvendi përballet me përpjekjen e fundit për konstituim

Kuvendi i Kosovës“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një sinjal i qartë se vendi ka hyrë në një krizë serioze kushtetuese dhe politike”“Në jo pak raste subjektet politike kanë ditur të na befasojnë, le të shpresojmë se ky është nga rastet e tilla”
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme, që do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht, periudhë në të cilën deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Kësisoj, sot deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në orën 14:00 për herë të fundit në kuadër të seancave të shumta konstituive, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në rast se, konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as sot, në përpjekjen e 53-të, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo do e thellonte edhe më shumë krizën institucionale, derisa nuk do dihej se çka do ndodhte në vazhdim.

E në lidhje me këtë seancë dhe vendimin e Kushtetueses, folën njohësit e çështjeve juridike, të cilët folën për atë se çka mund të ndodhë më tej.

Bajraktari: Konstituimi i Kuvendit në këtë fazë është ekskluzivisht çështje e mungesës së vullnetit politik

Si fillim, në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Ardian Bajraktari.

Ai u shpreh se shkaku kryesor i dështimi të konstituimit të Kuvendit është mungesa e vullnetit politik.

ImageArdian Bajraktari.Foto galeri
Në këtë rast, tha se ka mungesë të votave dhe kjo është e qartë.

“Konstituimi i Kuvendit në këtë fazë është ekskluzivisht çështje e mungesës së vullnetit politik të subjektit i cili krahas të drejtës për të propozuar kandidatin/en, ka edhe përgjegjësinë e sigurimit të votave. Ka munges votash, kjo është e qartë”.

Krahas kësaj, avokati u shpreh pesimist se mund të arrihet sot ndonjë rezultat pozitiv, ndonëse tha se ka raste kur partitë politike edhe dijnë të befasojnë.

“Nga ajo që është parë deri tash, nuk duket të ketë pritshmëri për ndonjë rezultat pozitiv, e kjo është për keqardhje.

Megjithatë në jo pak raste subjektet politike kanë ditur të na befasojnë, le të shpresojmë se ky është nga rastet e tilla”, tha ndër të tjera Ardian Bajraktari për “Bota sot”.

Curri: Ky vendim e kufizon veprimin e deputetëve

Ndërsa, avokati tjetër Agron Curri nuk pret që të konstituohet Kuvendi as sot, madje tha se ka këto seanca po tregojnë qartazi mungesë të përgjegjësisë institucionale.

“Duke pasur parasysh se në 52 përpjekje të mëhershme nuk është arritur konstituimi i Kuvendit, nuk pres që diçka thelbësisht ndryshe të ndodhë në përpjekjen e 53-të. Më shumë sesa përpjekje për zgjidhje, këto seanca po kthehen në demonstrim të mungesës së vullnetit dhe përgjegjësisë institucionale”.

ImageAgron CurriFoto galeri
Në bashkëbisedimin me “Bota sot”, Curri komentoi edhe vendimin e fundit të Kushtetueses, ku tha se ky është sinjal se vendi ka hyrë në një krizë serioze.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme për ndalimin e çdo veprimi në drejtim të konstituimit nga 27 korriku deri më 8 gusht, është një sinjal i qartë se vendi ka hyrë në një krizë serioze kushtetuese dhe politike. Ky vendim e kufizon veprimin e deputetëve në një mënyrë të paprecedentë dhe, në thelb, është një ‘frenë emergjente’ që po e tërheq gjykata për ta ndalur një proces të dështuar dhe potencialisht të rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit”, theksoi ai.

Ndër të tjera, avokati e vlerësoi si pozitiv ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe tha se nëse nuk bëhet sot konstituimi, atëherë është tregues se problem është etik e politik, jo ndonjë tjetër.

“Nëse pas gjithë kësaj nuk ndodh asgjë as në këtë përpjekje, atëherë mund të thuhet me plot gojën se problemi nuk është procedural, por thellësisht etik e politik. Siç thuhet ne popull “Kur nuk ke turp, bëj ç’të duash” dhe pikërisht këtë po e shohim në sytë e qytetarëve. Fatmirësisht, institucioni kredibil Gjykata Kushtetuese po ndërhyn për ta ruajtur kufirin minimal të funksionimit të shtetit dhe rendit juridik”, përmbylli Agron Curri për “Bota sot”.