Galatasaray nuk ndalet tek Osimheni, e dëshiron edhe Donnarumman

Me raportet që thonë se Paris Saint-Germain është gati të shesë Gianluigi Donnarumman, skuadra turke Galatasaray po vazhdon përpjekjet për të realizuar një transferim surprizë të portierit italian.

Ish-portieri i Milanit është në muajt e fundit të kontratës së tij me PSG, e cila skadon në fund të këtij sezoni. Bisedimet për një ulje të pagës së tij prej 12 milionë euro në vit nuk kanë pasur ndonjë përparim konkret. Sipas L’Équipe, PSG preferon të shesë Donnarumman tani, sesa ta humbasë si lojtar të lirë vitin tjetër – skenar që kanë pësuar më parë me yje të tjerë.

Në Serie A, interesimi për Donnarumman nga Juventusi dhe Interi është real, por vështirë që ndonjëra të përballojë pagën e tij aktuale. Ndërkohë, në Premier League, Chelsea dhe Manchester United duken më të mundshëm si destinacione, duke pasur kapacitet financiar për ta përballuar marrëveshjen.

Megjithatë, Tuttomercatoweb raporton se Galatasaray beson seriozisht se mund ta bindë Donnarumman të transferohet në Superligën turke. Klubi ka nisur një ofensivë të fuqishme në merkato, ku ndër të tjera po përpiqet të finalizojë transferimin e Victor Osimhen nga Napoli për 75 milionë euro. Ata kanë kontaktuar gjithashtu Mike Maignan nga Milan dhe Edersonin e Manchester City për pozitën e portierit, por tani fokusi kryesor është tek Donnarumma.

Transferimi mbetet një operacion kompleks, por Galatasaray po përpiqet ta joshë Donnarumman me një projekt ambicioz dhe një rol lideri absolut në skuadër. Nëse realizohet, do të ishte një nga transferimet më befasuese të verës.