Messi e Alba suspendohen nga MLS, pasi munguan në ndeshjen “All Star”

Lionel Messi dhe Jordi Alba nuk do të luajnë për Inter Miami këtë fundjavë ndaj FC Cincinnati, pasi janë pezulluar nga MLS për mungesën e tyre në ndeshjen All-Star, bëri të ditur liga të premten.

Sipas rregullave të MLS, çdo lojtar që mungon në All-Star Game pa dëmtim të konfirmuar, ndëshkohet automatikisht me një pezullim prej një ndeshjeje. Ky precedent është zbatuar më parë, përfshirë rastin e Zlatan Ibrahimović në vitin 2018.

Messi nuk mori pjesë në ndeshjen All-Star të kësaj jave, dhe ndonëse nuk u dha një arsye zyrtare në atë kohë, trajneri i Inter Miami-t, Javier Mascherano, deklaroi të premten se argjentinasi ishte i lodhur, pas një periudhe intensive ku skuadra luajti 9 ndeshje në 35 ditë, përfshirë FIFA Club World Cup dhe sezonin e rregullt të MLS – ku Messi ka luajtur çdo minutë.

Pezullimi i tyre vjen në një moment vendimtar për skuadrën, pasi Inter Miami do të përballet me Cincinnatin, një ndeshje shumë e rëndësishme për kreun e garës për Supporters’ Shield. Në anën tjetër, lojtarët e Cincy, Evander dhe Miles Robinson, morën pjesë në ndeshjen All-Star, me trajnerin Pat Noonan që theksoi se nuk u diskutua asnjëherë që ata të mungonin.

Komisioneri i MLS, Don Garber, tha të mërkurën:

“Kemi rregulla, dhe duhet t’i respektojmë. Do të kishim dashur që Leo të ishte aty, njësoj si çdo lojtar tjetër i përzgjedhur. Pas kësaj ndeshjeje All-Star, do të shqyrtojmë si t’i trajtojmë raste të tilla.”

Garber pranoi gjithashtu se liga duhej të kishte reaguar më herët ndaj mungesës së Messit:

“Do të duhej të dinim më parë, dhe ta kishim adresuar. Pa dyshim që kjo ishte një mangësi nga ana jonë.”

Messi u kthye në stërvitje të premten, por Mascherano deklaroi më herët se nuk ishte njoftuar për asnjë ndëshkim. Një zëdhënës i MLS sqaroi se kjo ndodhi sepse klubit nuk i ishte komunikuar asgjë deri në atë moment.

Ndërkohë, ndeshja All-Star përfundoi me fitoren 3-1 të MLS All-Stars ndaj Liga MX All-Stars, dhe Tai Baribo i Philadelphia Union u shpall MVP i ndeshjes.