Ndërron jetë “Princi i Fjetur” saudit pas 20 vitesh në koma

Princi saudit, Al-Waleed bin Khalid Al Saud, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare, pas më shumë se dy dekadash në koma pas një aksidenti tragjik me makinë në Londër në vitin 2005.

I njohur gjerësisht si “Princi i Fjetur”, Al-Waleed pësoi një hemorragji në tru dhe gjakderdhje të brendshme kur ishte vetëm 15 vjeç, ndërsa studionte në një kolegj ushtarak në Londër. Pas aksidentit, ai u kthye në Arabinë Saudite dhe u shtrua në Qendrën Mjekësore Mbretërore “King Abdulaziz” në Riad, ku qëndroi në gjendje kome për 19 vjet, i mbajtur në jetë me ventilator.

Lajmin për ndarjen nga jeta e princit e konfirmoi i ati, Princi Khaled bin Talal Al Saud, përmes një postimi prekës në rrjetin X (ish-Twitter). Ai shkroi:

“Me zemra që besojnë në vullnetin dhe caktimin e Allahut, me dhimbje dhe pikëllim të thellë, vajtojmë djalin tonë të dashur: Princin Al-Waleed bin Khaled bin Talal bin Abdulaziz Al Saud. Allahu e mëshiroftë.”

Princi Khaled nuk hoqi dorë kurrë nga shpresa se i biri do të zgjohej një ditë dhe refuzoi kategorikisht të ndërpriste aparaturat që e mbanin gjallë.

Pas lajmit për vdekjen e tij, hashtag-u #SleepingPrince u bë viral në rrjetet sociale, me mijëra mesazhe ngushëllimi dhe lutje për shpirtin e tij.

Ceremonia mortore dhe lutjet funerale për princin do të mbahen sot në Xhaminë Imam Turki bin Abdullah në Riad.