Kryeministri australian, Anthony Albanese, i ka quajtur “tërësisht të pambrojtshme” raportet për vrasjen e civilëve që kërkonin ndihma në Rripin e Gazës derisa prisnin për ushqim dhe ujë, transmeton Anadolu.
“Dhe padyshim që i kam thënë, për shembull, presidentit (izraelit) Herzog, të cilin e njoh prej shumë kohësh, se Izraeli po humbet mbështetjen për shkak të veprimeve të veta dhe se disa nga këto veprime janë plotësisht të pambrojtshme”, tha Albanese për ABC kur u pyet nëse është ndryshuar pozita globale e Izraelit.
“Dhe gjëja tjetër që kemi bërë është të themi në mënyrë private, atë që themi edhe publikisht, që Izraelit dhe këtë e themi si miq, ndonjëherë duhet t’i flasësh drejt dhe hapur”, shtoi ai.
Kryeministri australian përsëriti mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Ai tha se Australia është “një mbështetëse afatgjate” e Izraelit, por “është e rëndësishme të kujtohet se dy shtete ishin parashikuar dhe Australia vazhdon të mbështesë dy shtete në Lindjen e Mesme, Shtetin e Izraelit dhe Shtetin e Palestinës”.
“Bota duhet të luajë një rol në këtë drejtim dhe padyshim roli i SHBA-së do të jetë qendror”, tha Albanese për mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete.
Albanese gjithashtu përmendi vizitën e tij të fundit në Kinë dhe tha se pozicioni i Australisë për Ukrainën iu bë “shumë i qartë” udhëheqjes kineze.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën e egër mbi Gazën që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pandërprera e kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesë të ushqimit dhe përhapje të sëmundjeve.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
MARKETING