Forcat izraelite kanë njoftuar se kanë eliminuar tre figura kyçe të Hamasit gjatë një operacioni ushtarak në Rripin e Gazës, në një përpjekje të vazhdueshme për të goditur strukturat drejtuese të kësaj organizate që Izraeli e konsideron terroriste.
Sipas deklaratës zyrtare nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të vrarët janë Barhoum Shaheen (Kreu i Sigurisë së Përgjithshme të Hamasit në Gazën Perëndimore), Faraj al-Aoul, (Shefi i Zyrës Ligjore të Hamasit dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Legjislativ të organizatës) dhe Hashem Sarsour, (Kreu i Komitetit të Emergjencës së Hamasit në Gazën Lindore).
Zëdhënës të ushtrisë izraelite deklaruan se këto objektiva janë goditur me saktësi në bazë të informacioneve të sakta të inteligjencës, duke theksuar se eliminimi i tyre përbën një goditje të rëndësishme për strukturën komanduese të Hamasit në Gaza.
Zyrtarë izraelitë shprehën shqetësim për mbështetjen që Hamasi vazhdon të ketë në mesin e popullsisë së Gazës, raporton timesofisrael.
“Fatkeqësisht, pas dekadash propagande, shumë banorë të Gazës ende mbështesin këta terroristë të dhunshëm. Derisa Hamasi të zhduket nga Gaza, gjakderdhja do të vazhdojë,” thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar, me përleshje të herëpashershme dhe një krizë humanitare në përkeqësim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për qetësi dhe zgjidhje diplomatike të konfliktit.