Spitalet gjermane marrin plan për t’u përgatitur për skenar lufte

Autoritetet e qytetit të Berlinit, forcat e armatosura gjermane dhe 12 spitalet e kryeqytetit po bëjnë përgatitje të detajuara për skenarë të zymtë, përfshirë edhe përplasje të mundshme ushtarake që mund të shpërthejnë në kryeqytetin e Gjermanisë. Pas dy vitesh përgatitje, spitaleve të Berlinit u është prezantuar një plan për të reaguar ndaj skenarëve të ndryshëm të mbrojtjes civile.

Plani i plotë mbetet sekret për arsye sigurie. Megjithatë, Senati i Berlinit ka prezantuar disa pika kryesore, të cilat përfshijnë: ruajtjen e funksionimit të shërbimeve dhe zinxhirëve të furnizimit të nevojshëm që spitalet të mbeten operacionale, shpërndarjen emergjente të pacientëve, si dhe sigurimin e rezervave të mjaftueshme të energjisë, materialeve mjekësore dhe barnave.

Që kur Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, qeveria gjermane vendosi të riorganizojë sistemin e mbrojtjes civile të vendit, i cili ishte lënë pas dore pas ribashkimit në vitin 1990.

“Për shkak të vlerësimit të ri të rreziqeve, u bë e nevojshme të zgjerohet mbrojtja civile përtej asaj që kërkohej vitet e fundit”, deklaroi senatorja e Shëndetësisë në Berlin, Ina Czyborra.

Mark Schreiner, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës së Spitaleve të Berlinit, tha se ushtrimet e rregullta për raste urgjente i mbajnë spitalet të përgatitura mirë për të reaguar në situata të rrezikshme akute.

“Plani i ri tregoi se megjithatë, ka ende shumë për të bërë. Disa skenarë të mundshëm krizash, si konfliktet ushtarake apo kërcënimet hibride, kërkojnë përgatitje shtesë. Duhet ta bëjmë infrastrukturën tonë shëndetësore më të qëndrueshme ndaj krizave”, deklaroi Schreiner.