Aleanca për Shqiptarët: Fushata “Македонско најдобро” është përjashtuese dhe fyese për shqiptarët

Fushata e re e Ministrisë së Bujqësisë me sloganin “Македонско најдобро: Наша традиција, наша гордост” përbën një fyerje të hapur për qytetarët shqiptarë dhe për të gjitha komunitetet jomaqedonase në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Përdorimi i qëllimshëm dhe i vazhdueshëm i termit “Македонско” në një fushatë të financuar nga shteti nuk është rastësi – është politikë përjashtuese. Kjo është përpjekje për ta shndërruar shtetin në pronë të një etnie të vetme dhe për të mohuar realitetin multietnik të shoqërisë sonë.

Si mund të quhen “produkte maqedonase” domatet e Dibrës, djathi i Sharrit, lakra e Begovinës, qepa e Gostivarit, perimet e Likovës, rrushi i Vrapçishtit apo gruri i Karadakut, pa përmendur asnjëherë shqiptarët që i punojnë dhe i prodhojnë ato? Kjo është nacionalizëm institucional i ambalazhuar si promovim ekonomik.

Ku është zëvendësministri shqiptar?

Albrim Hoxha, zëvendësministër i Bujqësisë nga radhët e FLEN-it, jo vetëm që është pjesë e kësaj fushate, por hesht para këtij përjashtimi brutal të komunitetit që ai supozohet ta përfaqësojë. Kjo heshtje nuk është as pasivitet dhe as neutralitet – është bashkëpjesëmarrje aktive në përjashtim.

Ku është FLEN?

Koalicioni shqiptar në qeveri, që premtuan barazi dhe dinjitet, është zhdukur nga çdo reagim publik. Kur shqiptarët përjashtohen nga koncepti i identitetit prodhues dhe nga simbolet shtetërore, FLEN nuk thotë asgjë. Kur shteti përdoret për të promovuar vetëm një etni, FLEN sërish hesht.

Pra, çfarë vlere ka pushteti, kur nuk ke as guximin më minimal për të ngritur zërin ndaj një prej formave më të rënda të përjashtimit simbolik?

Aleanca për Shqiptarët i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të reagojnë menjëherë, të tërhiqen nga fushata dhe të kërkojnë korrigjim publik të kësaj politike përçarëse. Heshtja nuk është më opsion.