Ardon Jashari ndan rrugët me Bryzh, Igli Tare nuk e ndryshon ofertën për shqiptarin

Marrëdhënia mes Ardon Jasharit dhe Milanit nuk është mbyllur ende. Pavarësisht mungesës së zhvillimeve të fundit konkrete në negociatat mes klubit italian dhe Klub Bryzhit, shpresat në kampin kuqezi janë ende të gjalla.

Sinjalet vijnë drejtpërdrejt nga vetë lojtari, mesfushori zviceran nuk ka pozuar për fotografinë zyrtare të ekipit belg, një detaj që, për shumëkënd, është tregues i qartë i dëshirës së tij për t’u transferuar në Milano.

ADVERTISING

OBJEKTIVI- I lindur në vitin 2002, Jashari është bërë tashmë një objektiv i deklaruar i Milanit. Mesfushori, sipas burimeve të afërta me klubin, ka arritur një marrëveshje parimore me klubin italian. Por problemi qëndron te kërkesat e Bryzhit. Klubi belg nuk heq dorë nga shifra prej 40 milionë eurosh pa bonuse, ndërsa oferta e Milanit ndalet në 32.5 milionë plus bonuse, që do ta çonin shumën totale në rreth 35-36 milionë euro.

NGËRÇI- Përplasja financiare ka sjellë një ngërç që, sipas portalit belg “HLN”, mund ta afrojë Jasharin më shumë me një qëndrim të mundshëm në Belgjikë. “Gjasat që Jashari të qëndrojë te Bryzhi janë rritur pak”, shkruan portali, duke shtuar se Milani për momentin e ka vendosur mesfushorin në pritje.

DËSHIRA- Megjithatë, dëshira e Jasharit mbetet e qartë dhe mungesa e tij në ndeshjen miqësore kundër Lokomotiv Zagrebit, duket më shumë si një mesazh për drejtuesit kuqezinj, Tare dhe Furlani, sesa një masë ndëshkuese nga klubi belg.

IRONIA- Në një kthesë ironike të fatit, zgjidhja për këtë çështje mund të vijë… nga rivali historik, Interi. Nëse zikaltrit arrijnë të mbyllin transferimin përfundimtar të Aleksandër Stankoviç, mesfushori që konsiderohet si pasuesi i Jasharit te Bryzhi, atëherë hapet rruga për kalimin e zviceranit te Milani. Interi kërkon një klauzolë riblerjeje maksimale prej 25 milionë eurosh për Stankoviç, ndërsa Bryzhi këmbëngul për 30 milionë. Diferenca prej 5 milionësh po negociohet, me synimin për të arritur marrëveshjen përfundimtare. Nëse palët bien dakord, atëherë ëndrra e Jasharit për të veshur fanellën kuqezi mund të bëhet realitet. Për momentin, topi është ende në fushën e negociatave.