Takim në Tetovë mes Ali Ahmetit, Ziadin Selës dhe veprimtarit shqiptar nga SHBA, Bruno Ceka

Sot në Tetovë është zhvilluar një takim miqësor mes Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, me veprimtarin e njohur të çështjes shqiptare në diasporë, Bruno Ceka.

Bruno Ceka është një personalitet i shquar që prej dekadash kontribuon për çështjen kombëtare shqiptare në rajonin e Ballkanit. Edhe pse jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka qenë aktiv në përpjekjet për pavarësinë e Kosovës, si dhe në mbështetjen e proceseve demokratike dhe kombëtare në të gjitha trevat shqiptare.

Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, ku u diskutua për sfidat aktuale të shqiptarëve në rajon dhe nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në funksion të interesave kombëtare.

Pritet që vizita e z. Ceka në vendlindje të pasohet me takime të tjera me figura politike dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut.