KUSH PO I SABOTON PROCESET EURO-ATLANTIKE TË MAQEDONISË SË VERIUT?

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë bërë sakrifica të mëdha, duke lënë mënjanë kërkesat e tyre legjitime për të mos penguar integrimin euroatlantik të shtetit, me bindjen se ky drejtim do të siguronte një të ardhme të përbashkët dhe stabile për të gjithë qytetarët. Megjithatë, raporti i fundit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili paralajmëron qartë se Maqedonia e Veriut po rrëshqet drejt ndikimit të botës serbe, përbën një kthesë alarmante që nuk mund të neglizhohet.
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Në periudhën e trazuar të viteve të nëntëdhjeta, kur arkitektura e rendit ndërkombëtar po përjetonte një riformatim të thellë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut bënë një përcaktim historik: orientimin strategjik drejt Perëndimit. Ky përcaktim nuk ishte thjesht një zgjedhje gjeopolitike, por një aspiratë kombëtare e mbështetur në përvojën historike të izolimit, represionit dhe mohimit të të drejtave themelore që shqiptarët kishin përjetuar në kontekste të ndryshme shtetërore gjatë shekullit XX.
Gjatë tre dekadave që pasuan, elitat politike shqiptare me të gjitha dallimet dhe sfidat e tyre të brendshme kanë ndjekur me këmbëngulje rrugën e integrimit euroatlantik. Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe avancoi në proceset e integrimit në Bashkimin Evropian; Kosova shpalli pavarësinë dhe nisi ndërtimin e institucioneve demokratike në koordinim me partnerët perëndimorë; ndërsa shqiptarët në Maqedoni të Veriut, pas krizave të brendshme dhe Marrëveshjes së Ohrit, u angazhuan në konsolidimin e shtetit multietnik me vizion euroatlantik.
Mirëpo, ky rrugëtim nuk ka qenë i pandikuar nga aktorët dhe interesat që e shohin orientimin perëndimor të shqiptarëve si kërcënim për projektet e tyre hegjemoniste. Në mënyrë të vazhdueshme, janë artikuluar dhe zbatuar projekte destabilizuese që synojnë të minojnë këtë orientim strategjik. Këto projekte vijnë nga qarqe që besojnë se një Ballkan i integruar në strukturat euroatlantike bie ndesh me interesat e tyre rajonale dhe globale, veçanërisht me strategjitë neo-imperiale të disa fuqive lindore.
Në fazën aktuale të përmbushjes së kritereve për integrimin në BE nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, është krijuar një dritare historike që do të mundësonte edhe një perspektivë më të qartë për Kosovën në këtë proces. Kjo mundësi e bashkërenduar integruese për të gjitha tre shtetet, është interpretuar nga kundërshtarët si një kërcënim direkt ndaj influencës së tyre. Prandaj, ndërhyrja për të penguar këtë proces ka marrë forma të sofistikuara dhe të shumëfishta.
Një nga instrumentet më të qarta të këtij sabotimi është ndarja e trajektores integruese të Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, duke e izoluar Shkupin nga Tirana në proceset eurointegruese. Ky izolim është i shoqëruar me përpjekje të brendshme për ta devijuar Maqedoninë nga rruga euroatlantike, duke instrumentalizuar forca politike siç është partia politike maqedonase në pushtet që promovojnë narrativa të “botës serbe” dhe e paraqesin procesin e integrimit evropian si kërcënim për identitetin kombëtar maqedonas. Pas kësaj retorike e fushate identitare qëndrojnë interesa dhe ndikime të kamufluara ruse dhe kineze, të cilat synojnë të krijojnë një vakum strategjik në Ballkan që të shfrytëzohet për interesa gjeopolitike të Lindjes.
Gjatë këtyre tri dekadave, një nga faktorët më të qëndrueshëm të stabilitetit në Maqedoninë e Veriut ka qenë uniteti i brendshëm i krijuar mes shqiptarëve dhe maqedonasve rreth çështjeve delikate si ajo fetare, historike dhe gjuhësore që lidhen me identitetin kombëtar maqedonas. Ky unitet i brishtë, por strategjik, ka qenë një shtyllë vendimtare që ka bërë të mundur që faktori ndërkombëtar të dalë në mbrojtje të identitetit maqedonas përballë pretendimeve dhe presioneve të vazhdueshme nga Serbia, Bullgaria dhe Greqia. Përkundër përpjekjeve të këtyre shteteve për të ndikuar në rrëzimin e këtij uniteti, bashkëpunimi ndëretnik dhe konsensusi politik brenda vetë Maqedonisë e ka pamundësuar realizimin e agjendave përçarëse. Megjithatë, paraqitjet e fundit të kryeministrit të ri maqedonas, të karakterizuara nga manipulimi dhe keqinterpretimi i raportit të fundit të Komisionit Evropian, dëshmojnë për një devijim të rrezikshëm nga ky kurs. Kjo qasje synon të krijojë një alibi për të minuar proceset eurointegruese dhe për të avancuar agjenda të koordinuara me aleatë të rinj që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me projektin evropian dhe vlerat perëndimore. Ky ndryshim i qasjes nuk është vetëm një rrezik për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, por edhe një kërcënim real për arkitekturën e bashkëjetesës ndëretnike dhe për rolin konstruktiv të shqiptarëve në shtetformim.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë bërë sakrifica të mëdha, duke lënë mënjanë kërkesat e tyre legjitime për të mos penguar integrimin euroatlantik të shtetit, me bindjen se ky drejtim do të siguronte një të ardhme të përbashkët dhe stabile për të gjithë qytetarët. Megjithatë, raporti i fundit i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili paralajmëron qartë se Maqedonia e Veriut po rrëshqet drejt ndikimit të botës serbe, përbën një kthesë alarmante që nuk mund të neglizhohet. Deri më tani, ky orientim ka qenë objekt përfoljesh në koluaret politike e diplomatike, por tashmë, me një konstatim zyrtar dhe të miratuar institucionalisht, bëhet e qartë se ndikimi serb është shndërruar në një komponent real të kursit strategjik të shtetit. Kjo gjendje përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për shqiptarët dhe përcaktimin e tyre të qartë në raport me Perëndimin, ndaj kërkon mobilizim të menjëhershëm politik, diplomatik dhe shoqëror, në mënyrë që të mbrohet jo vetëm vizioni euroatlantik, por edhe vetë pesha kushtetuese dhe politike e shqiptarëve në proceset vendimmarrëse të shtetit.
Ndryshimi i kursit politik të Maqedonisë së Veriut pas zgjedhjeve të fundit nuk përfaqëson një zhvillim të rastësishëm, por është pjesë e një projekti të mirëkalkuluar strategjik, që përkon me agjendat e qendrave të caktuara rajonale. Serbia, e pamundur të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë për shkak të pranisë ndërkombëtare të KFOR-it, ka orientuar përpjekjet e saj drejt destabilizimit të brendshëm në Maqedoni, përmes një qeverisjeje që injoron të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe shtyn segmentet shqiptare drejt margjinalizimit politik dhe institucional. Kjo skemë krijon potencialisht alibinë për krizë, të cilën Beogradi mund ta përdorë për të rikthyer ambiciet e veta në Kosovë përmes një klime të krijuar krizash në rajon. Në këtë kontekst, qasja e qeverisë aktuale në Shkup, e cila harmonizohet me retorikat dhe prioritetet e “botës serbe”, përfaqëson një përshkallëzim serioz të politikave që minojnë jo vetëm të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë, por edhe baraspeshën etnike e stabilitetin rajonal. Krahas kësaj, përshkallëzimi artificial i tensioneve me Bullgarinë ka bllokuar proceset e avancuara eurointegruese, ndërsa thellimi i bashkëpunimit infrastrukturor dhe ekonomik me rrjete të lidhura me interesat ruse e kineze, e zhvendos Maqedoninë në një orbitë të rrezikshme ndikimi lindor. Të gjitha këto vektorë së bashku e vendosin shtetin në një trajektore që e largon nga konsensusi euroatlantik dhe e fut në një vorbull destabilizimi me pasoja të paparashikueshme për gjithë rajonin.
Është momenti i fundit që Shqipëria dhe Kosova, të flasin me një gjuhë të përbashkët dhe të ndërmarrin veprime të koordinuara për të unifikuar zërin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ky bashkërendim strategjik duhet të shërbejë për vendosjen e vijave të kuqe lidhur me domosdoshmërinë e deblokimit të procesit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut dhe për përcaktimin e qartë të kursit të saj drejt strukturave euroatlantike. Një qasje e tillë është jetike për të neutralizuar ndikimin destabilizues të projektit të ‘botës serbe’, i cili, përmes formave të kamufluara politike dhe diskursive, po synon të minojë orientimin perëndimor të shtetit dhe të gjithë rajonit.
Nëse sot nuk përcaktohemi me qartësi dhe vendosmëri për këtë drejtim, rrezikojmë të futemi në një skemë të re ndarjeje: një pjesë e kombit do të ecë me Perëndimin, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet nën influencën e Lindjes, në një realitet të polarizuar botëror. Kjo do të ishte një rikthim i trishtë në skenaret e shekullit XX, ku shqiptarët mbetën të ndarë pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe vendimeve të Versajës. Ndarja e kombit jo vetëm gjeografikisht por edhe gjeostrategjikisht, do të krijonte pasoja të parikuperueshme për të ardhmen e faktorit politik shqiptar në rajon.
Prandaj, momenti aktual kërkon një përqafim të menjëhershëm të një agjende të re kombëtare të integrimit, ku Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të jenë bashkë në qëllime dhe në veprime, duke e parë integrimin euroatlantik jo thjesht si projekt shtetëror, por si projekt kombëtar i mbijetesës dhe progresit në konfigurimin e ri global.
Shkup, 14 korrik 2025