Mickoski: Muzeu mbi Ujë në Ohër ishte lënë në harresë për 7 vite, sot fiton një pamje të re – trashëgimia jonë kulturore është oferta kryesore turistike
“Me konsolidimin e gjendjes në vend, pres që investimet në kulturë të jenë edhe më të mëdha dhe nuk është rastësi që sektorin e turizmit e bashkuam me Ministrinë e Kulturës dhe u bë Ministria e Kulturës dhe Turizmit, sepse sipas hulumtimeve të realizuara, pjesa më e madhe e vizitorëve, pra turistët që e vizitojnë Maqedoninë si destinacion turistik, këtë e bëjnë pikërisht për shkak të trashëgimisë së pasur kulturore.
Ky objekt këtu, ky vendbanim dhe infrastruktura shoqëruese vërtet paraqet një objekt me rëndësi për Ohrin dhe për turistët që e vizitojnë qytetin e Ohrit.
E përgëzoj drejtorin për punën e përkushtuar në këtë periudhë që kur është emëruar, sepse siç e tha edhe vetë, për 7 vite me radhë nuk ishte bërë pothuajse asgjë. Siç mund të shihni, pamja e këtij vendi të mrekullueshëm sot është tërësisht e ndryshuar dhe duket krejtësisht ndryshe krahasuar me gjendjen e një vit e gjysmë, dy vite më parë.
Kështu që, dëshiroj vetëm punë të suksesshme edhe në vazhdim, edhe vetë ai tha se këtu nuk ndalemi me investime, vazhdojmë edhe më tutje, i përgëzoj edhe të gjithë të tjerët që ishin të përfshirë në mbështetjen e realizimit të këtij projekti, ministrin, kryetarin e komunës, të gjithë të tjerët që ndihmuan, këtu është edhe ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministër, i cili është i përqendruar fuqishëm në përmirësimin e infrastrukturës në Ohër dhe rrethinë, si dhe deputetët në Kuvend që po luftojnë fuqishëm për më shumë projekte për Ohrin.
Kështu që kur kemi një energji të tillë që bashkon nivelin lokal dhe atë qendror, atëherë rezultatet dhe suksesi janë të pashmangshëm,” deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në vënien në përdorim të Muzeut në Ujë, vendbanimit mbi hunj në Gjirin e Kockave në Ohër, pas sanimit të plotë.