Gjermania furnizon Ukrainën me armë për goditje thellë në territorin rus

Gjermania ka konfirmuar se do të furnizojë Ukrainën me sisteme të avancuara armësh me rreze të gjatë veprimi, të cilat do t’i mundësojnë Kievit të godasë objektiva strategjike të Rusisë, duke tejkaluar vijën e frontit.

Sipas Gjeneralit të Bundeswehrit, Christian Freuding, i cili udhëheq grupin mbështetës të Ministrisë Gjermane të Mbrojtjes për Ukrainën, dërgesat e para të këtyre sistemeve pritet të fillojnë deri në fund të këtij muaji.

“Ky është një hap i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës. Këto sisteme do të përmirësojnë ndjeshëm mbrojtjen ajrore dhe aftësinë e Ukrainës për të kryer goditje të synuara në thellësi të territoreve të kontrolluara nga Rusia,” tha Freuding për mediat gjermane.

Sistemet e reja përfshijnë teknologji të avancuar që mund të përdoren për të goditur depot e municioneve, qendrat logjistike dhe komandat ruse që ndodhen larg vijës së frontit.