Komiteti i Helsinkit ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj Arsovkës, kërkuan hetim urgjent edhe ndaj policëve

Në lidhje me sulmin fizik ndaj kryetares së Qyteitt të Shkupit, Danela Arsovska, ka reaguar dhe Komiteti i Helsinkit. Ata kërkojnë hetim të shpejtë, të pavarur dhe padi ndaj të dyshuarve.

“Komiteti i Helsinkit kërkon hetim për punonjësit policor që nuk e kanë penguar sulmin ndaj kryetares Arsovska”, reagoi Komiteti i Helsinkit, duke shtuar se “fuqishëm e dënon sulmin fizik dhe verbal ndaj Arsovkës”.

Ata theksojnë se Arsovska në atë moment ishte gjatë një kontrolli zyrtar në një objekt ndërtimi ilegal.

“Veçanërisht, shqetësues është fakti që sulmi ka ndodhur para syve të punonjësve policor, të cilët, sipas deklaratës së kryetares, nuk kanë marrë masat e duhura për mbrojtjen e saj, edhe përkundër kërcënimeve serioze për jetën e saj dhe sigurinë e familjes së saj”, deklaruan nga Komiteti, duke kërkuar përgjegjësi për policët.

Bazuar në reagimin e Arsovskës, sulmuesi fillimisht e ka kërcënuar me dhunë dhe vrasje të familjarëve, për ta vazhduar sulmin fizik.

“Ministria për punë të brendshme ka njoftuar për arrestimin e dy të dyshuarve. Por, akoma nuk ka informacione për masat kundër punonjësve policor që ishin prezent në vendin e ngjarjes”, deklaruan nga komiteti.

Komiteti ndër të tjera ka kërkuar edhe sigurimin e shpejtë të kryetares.

Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht sot (11 korrik) rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”.

Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.

Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.