Shumë ndryshime dhe pesë “shitje të dhimbshme”, Reali drejt revolucionit veror

Vera ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Real Madridin.

Pas “merkatos” verore të planifikuar shumë herët, me arritjet e Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen e Franco Mastantuono, rrugëtimi në Botërorin e Klubeve po sjell gëzime të reja.

Nën drejtimin e Xabi Alonsos, “Los Blancos” llogarisin ta mposhtin nesër mbrëma Paris Saint-Germainin dhe të shkojnë në finale të këtij turneu.

Ish-trajneri i Bayer Leverkusenit ka ditur t’i vlerësojë elementet pak të konsideruar nga Carlo Ancelotti, duke zbuluar karta të reja fituese.

Prej krejt këtyre vlen të përmendet më së shumti zbulimi i Gonzalo Garcías: sulmuesi 21 vjeç, deri dje i lidhur me Castillan, është aktualisht golashënuesi më i mirë i Realit në këtë turne me 4 gola.

Edhe Dean Huijsen ka gjetur shpejt hapësira dhe vazhdimësi, ndërsa Arda Güler e Fran García po i shfaqin krejt kualitetet e tyre.

Mirëpo, për të tjerët ka më pak lajme të mira.

Sipas mediumit spanjoll “Sport’, pesë emra të rëndësishëm rrezikojnë të largohen nga klubi.

Prej tyre, i pari që mund t’i bëjë valixhet gati është braziliani Rodrygo, i cili ka përfunduar jashtë projektit teknik të Alonsos.

Gjithashtu, edhe bashkëkombësi i tij, Endrick mund të mbetet jashtë pasi për momentin e ka humbur konkurrencën me Gonzalo Garcian.

Në mesfushë, Dani Ceballos është përsëri në telashe pasi është kaluar nga rritja eksponenciale e Arda Güler.

Në mbrojtje, David Alaba e Ferland Mendy janë lënë nën hije falë paraqitjeve të shkëlqyeshme të Huijsen e Fran García, ndërsa arritja e Alvaro Carreras mund ta komplikojë pozicionin e anësorit francez.

Kështu, një cikël i ri po merr formë tek Real Madridi.

Jo të gjithë do t’i bashkohen ekipit në përgatitjet për sezonin e ri, pas pushimit disa javor pas përfundimit të Botërorit të Klubeve.