Gyokeres sakrifikon miliona euro për të realizuar ëndrrën – Arsenali afër marrëveshjes me Sportingun
Viktor Gyokeres është i vendosur të bashkohet me Arsenalin këtë verë dhe ka pranuar të heqë dorë nga 2 milionë euro nga paga e tij për të ndihmuar në finalizimin e transferimit nga Sporting.
Sulmuesi suedez i ka komunikuar klubit portugez dëshirën për t’u larguar, ndërsa negociatat mes dy palëve po vazhdojnë intensivisht.
Sipas gazetës portugeze Record, Gyokeres ka arritur një marrëveshje personale me “Topçinjtë”, që përfshin një kontratë pesëvjeçare, ndërsa synon të jetë pjesë e ekipit të Mikel Artetës për ndeshjet parasezonale.
Arsenali është i gatshëm të paguajë rreth 70 milionë euro për kartonin e tij, por Sporting vazhdon të kërkojë 80 milionë euro – një shumë që korrespondon me klauzolën e lirimit të lojtarit.
Sipas Record, Gyokeres ka rënë dakord të heqë dorë nga një shumë prej 2 milionë eurosh nga paga e tij për të ndihmuar në lehtësimin e marrëveshjes.
Gjesti i Gyökeres për të hequr dorë nga një pjesë e pagës mund të ndihmojë në ngushtimin e këtij hendeku financiar.
27-vjeçari ka shkëlqyer në Portugali që nga transferimi nga Coventry City, duke shënuar 97 gola në 102 paraqitje dhe duke udhëhequr renditjen e golashënuesve në Portugali dy sezone radhazi, teksa ka qenë vendimtar në fitimin e dy titujve kampion nga Sportingu.
Pavarësisht interesimit për Benjamin Sesko nga RB Leipzig, Arsenali e ka bërë Gyökeresin objektivin kryesor për repartin ofensiv. Klubi londinez ka përforcuar tashmë skuadrën me mesfushorin Martin Zubimendi nga Real Sociedad dhe portierin Kepa Arrizabalaga nga Chelsea.
Po ashtu, po vazhdojnë bisedimet me Brentfordin për transferimin e kapitenit Christian Nørgaard.