Ushtria izraelite vret edhe 10 palestinezë në Gaza, përfshirë një foshnjë

Të paktën 10 palestinezë janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një sërë sulmesh ajrore të ushtrisë izraelite që nga mëngjesi i së hënës në Gaza, sipas burimeve mjekësore.

Në lagjen Al-Rimal të qytetit të Gazës, gjashtë persona, përfshirë një foshnjë humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën kur një goditje izraelite shënjestroi një klinikë e cila shërbente si strehimore për civilët.

Në pjesën jugore të qytetit të Gazës, ushtria izraelite sulmoi një apartament banimi në lagjen Tel al-Hawa, duke vrarë një palestinez dhe plagosur disa të tjerë, sipas dëshmitarëve dhe burimeve spitalore.

Tre persona të tjerë u vranë në kampin e refugjatëve Al-Bureij, në pjesën qendrore të Gazës, pas një sulmi ndaj një shtëpie, konfirmoi një burim nga Spitali i Dëshmorëve të Al-Aksas.

Ndërkohë, katër persona mbetën rëndë të plagosur kur ushtria izraelite goditi një tendë që strehohej palestinezë të zhvendosur në Deir al-Balah.

Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 57.400 palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë nga sulmet izraelite.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi se një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit mund të ndodhë gjatë kësaj jave.