Aleanca për Shqiptarët: Pushteti po na fshin nga administrata – U punësuan 57 persona, asnjë nuk është shqiptar

Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatë për valën e fundit të punësimeve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ku edhe këtë herë shqiptarët janë përjashtuar në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme nga përfaqësimi.

Nga fillikmi i muajt dhe deri më tani, në konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Bujqësisë, nga të gjithë të punësuarit – përfshirë këshilltarë shtetërorë, udhëheqës sektorësh, shefa njësish dhe këshilltarë të zakonshëm – asnjë nuk është shqiptar. Rezultati flet vetë: 10 me 0, në favor të ekskluzionit etnik dhe diskriminimit të strukturuar.

E njëjta logjikë e përjashtimit etnik vazhdon edhe në Ministrinë e re të Sportit, ku nga gjithsej 50 të punësuar, vetëm 4 janë shqiptarë, dhe asnjë prej tyre nuk ka pozicion udhëheqës. Alarmi bëhet më i fortë pas raundit të fundit të punësimeve: 15 të punësuar të rinj, asnjë shqiptar.

Po ashtu, vendimi për 32 punësime të reja në Regjistrin Qendror të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët sërish mungojnë, e dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për rastësi, por për diskriminim të pastër institucional. Ky është një shembull flagrant i një praktike që thellon ndarjet, nxit frustrimin dhe e zhbën frymën e barazisë që duhet të jetë themel i një shteti demokratik.

Për Aleancën për Shqiptarët, kjo qasje është e papranueshme. Përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet nuk është vetëm padrejtësi, por një shkelje e rëndë e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, të garantuar me Kushtetutë dhe me marrëveshjet që formojnë themelet e këtij shteti.

Ky nuk është vetëm një problem i shqiptarëve. Ky është problem i shoqërisë. Sepse aty ku fillon përjashtimi sistematik, fillon prishja e kohezionit shtetëror.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të ngritë zërin fuqishëm në çdo forum dhe institucion, brenda dhe jashtë vendit, për ta ndalur këtë padrejtësi që po shndërrohet në normë të heshtur. Barazi do të thotë përfaqësim. Përfaqësim do të thotë drejtësi. Pa drejtësi nuk ka shtet.