Wimbledon/ Alcaraz kalon në çerekfinale, mposht me përmbysje rusin Rublev

Janë përcaktuar çerekfinalistët e parë në grand slam të Wimbledon, turneu më i madh i fushave me bar. Spanjolli Carlos Alcaraz, numri 2 në botë dhe kampion në fuqi, fitoi 3-1 me përmbysje ndaj rusit Andrey Rublev (6-7, 6-3, 6-4, 6-4).

Spanjolli kalon kështu një tjetër pengesë drejt finales së Wimbledon: Pas humbjes së setit të parë, Alcaraz reagoi fuqishëm, duke kontrolluar ndeshjen në tre setet e radhës. Rublev pati disa mundësi, por nuk arriti t’i shfrytëzojë, ndërsa kampioni në fuqi tregoi vendosmëri dhe mbylli sfidën pa lëshuar më terren.

Një biletë për në fazën çerekfinale siguruan edhe britaniku Cameron Norrie (3-2 ndaj N.Jarry) e rusi Karen Khachanov (3-0 ndaj K.Majcharzak). Kualifikohet edhe amerikani Taylor Fritz, që përfitoi nga tërheqja e J.Thompson në setin e dytë.

Nuk ka surpriza te femrat. Numri 1 në botë, tenistja bjelloruse Aryna Sabalenka, mundi 2-0 (6-4, 7-5) belgen Elise Mertens. Në çerekfinale kualifikohen edhe Amanda Anisimova e Amerikës (2-1 ndaj L.Noskova), gjermania Laura Siegemund (2-0 ndaj S.Sierra) dhe rusja Anastasya Pavlyuchenkova (2-0 ndaj S.Kartal).