Të paktën 78 persona kanë humbur jetën dhe 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të mëdha që goditën Teksasin qendror të premten, sipas autoriteteve lokale.
Zona më e goditur është qarku Kerr, ku janë konfirmuar 78 viktima, përfshirë 28 fëmijë. Ndër të vdekurit janë edhe disa pjesëmarrëse dhe një këshilltare nga kampi i krishterë për vajza “Camp Mystic”, i cili ndodhet buzë lumit Guadalupe.
Sipas zyrtarëve të emergjencës, lumi Guadalupe u ngrit me 8 metra për vetëm 45 minuta, duke përmbytur kampin dhe zonat përreth. Kërkimet për të zhdukurit vijojnë mes kushteve të vështira për shkak të motit, me stuhitë që pritet të vazhdojnë edhe në orët në vijim.
Ndër viktimat është edhe drejtori historik i kampit, Richard “Dick” Eastland. Ish-ushtaraku i forcave speciale, Greg Froelick, që ndihmon në operacionet e shpëtimit, tha se trupat janë gjetur deri në 13 kilometra larg nga vendngjarja.
Ai përshkroi pamje rrëqethëse me rroba dhe sende personale të shpërndara përgjatë rrjedhës së lumit.