Aleanca për Shqiptarët: “Bota Serbe” po shtrihet në Maqedoni me mbështetje shtetërore

Aleanca për Shqiptarët shpreh indinjatë të thellë për manifestimin e zhvilluar të dielën e kaluar në rajonin e Shtipit, me rastin e 111-vjetorit të Betejës së Bregallnicës, e cila historikisht shënon pushtimin e Maqedonisë nga ushtria serbe pas përplasjes me ushtrinë bullgare.

Ajo që është më shqetësuese se vetë organizimi i këtij përvjetori është mbështetja shtetërore që ka marrë ky manifestim nga institucionet e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – një përkrahje që i jep zë e figurë projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”, tashmë të pranishëm në zemër të Maqedonisë. Ironia dhe padrejtësia historike e kësaj qasjeje është e dhimbshme.

Po të imagjinohej një përvjetor i tillë nga shqiptarët – qoftë edhe në formë private – për çlirimin e Shkupit më 13 gusht 1912 nga forcat e Isa Boletinit, Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit, reaksioni do të ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. E njëjta ndjeshmëri politike do të kishte zënë vend edhe ndaj bullgarëve. Sepse, siç është dëshmuar gjatë dekadave, historiografia maqedonase vazhdon t’i quajë këto momente të historisë “pushtim nga shqiptarët”, ndërsa ndërkaq, me fonde publike dhe me prani zyrtare, përkujton pushtimin serb të vitit 1913 si ngjarje legjitime dhe të lavdishme. Kjo qasje selektive është shkollë klasike e nacionalizmit shtetëror maqedonas, i cili jo vetëm mohon kontributin dhe historinë e shqiptarëve, por edhe i jep hapësirë të plotë narrativës së Serbisë së Madhe.

Është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që institucionet e Maqedonisë së Veriut të përfshihen në organizime që përkujtojnë okupimin e këtyre trojeve, ndërsa një aktivitet shqiptar me përmbajtje historike, kulturore apo ushtarake, do të ishte menjëherë i ndaluar dhe i demonizuar.

Pyetja që lind natyrshëm është se çfarë do të ndodhte nëse një njësi simbolike e Forcave të Sigurisë së Kosovës apo e Ushtrisë së Shqipërisë do të vinte në Shkup për të përkujtuar çlirimin e tij nga shqiptarët? Padyshim që do të kishte “,lumë reagimesh”, ashtu siç po ndodh çdo ditë ndaj përpjekjeve për të rivlerësuar të kaluarën e shqiptarëve.

Në gjithë këtë situatë, VLEN ose nuk e sheh ndikimin e “Botës Serbe” mbi qeverinë në të cilën bën pjesë, ose ka zgjedhur të bëhet pjesë e saj. Vetëm VLEN e konsideron raportin e Komisionit Evropian si “mjegull të UDB-së”, duke mohuar realitetin që është i qartë për të gjithë: me paratë e taksapaguesve shqiptarë po financohen manifestime që përkujtojnë pushtimin serb dhe përforcojnë narrativën hegjemoniste serbe në Ballkan.

VLEN, në vend që të qëndrojë në krah të partnerëve euroatlantikë, i gëzohet kredive hungareze me origjinë kineze, për të cilat vetë Komisioni Evropian ka ngritur shqetësim si shenjë e rritjes së ndikimit rus dhe kinez mbi qeverinë në Shkup.

Ky nënshtrim i heshtur përballë agjendave antiperëndimore dhe antikombëtare është një devijim i rrezikshëm nga rruga e integrimeve evropiane dhe nga partneriteti strategjik me SHBA-të. Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë shkeljes së dinjitetit historik të shqiptarëve, instrumentalizimit të institucioneve shtetërore në funksion të projekteve të “Botës Serbe”, dhe shndërrimit të historisë sonë në objekt përçmimi dhe mohimi. Ne do të vazhdojmë të ngrisim zërin në mbrojtje të të vërtetës historike, të barazisë së shqiptarëve dhe të orientimit strategjik euroatlantik të vendit.

Aleanca për Shqiptarët