Të miturit në vend kalojnë nga 5 orë në ditë në internet

Shpejtësia e paqëndrueshme e lidhjes, ndërprerjet/mospasja në dispozicion e shërbimit dhe problemet me pajisjet teknike janë problemet më të shpeshta që përmenden gjatë përdorimit të internetit, tregon anketa më e re e opinionit publik nga aspekti i mbrojtjes së abonentëve të shërbimeve elektronike, e realizuar nga Agjencia për Komunikime Elektronike.

Anketa është realizuar nga 18 maji deri më 5 qershor të këtij viti, në një mostër përfaqësuese të rastësishme prej 1.100 të anketuarish nga popullata mbi moshën 18 vjeç, abonentë të ndonjë shërbimi komunikimi elektronik: telefoni fikse, telefoni mobile, internet dhe televizion.

Sipas anketës, në 34.1% të amvisërive, internetin e përdorin persona të mitur, ku në 80.7% të rasteve, të miturit e përdorin internetin çdo ditë në shtëpi. Shumica, ose 78.2%, në mesatare kalojnë deri në pesë orë në ditë të lidhur në internet.

Vetëdije për softuer për kontroll prindëror që do t’u mundësonte përdorim të sigurt të internetit për personat nën 18 vjeç ekziston te 63.5% e të anketuarve. Një softuer i tillë është i instaluar në 25.9% të amvisërive, ndërsa nga ata që nuk e kanë të instaluar, por janë të vetëdijshëm për ekzistencën e tij, 58.6% do ta instalonin. Nga ata që kanë qëndrim pozitiv ndaj instalimit të softuerit për kontroll prindëror, vetëm 17.3% e dinë se ku mund ta gjejnë këtë softuer.

Siç qëndron në gjetjet e anketës, internet në shtëpi përdorin 94.1% e të anketuarve. Shumica janë abonentë të A1 (39.3%) dhe Telekomit të Maqedonisë (37.8%), ndërsa 12.8% janë përdorues të internetit nga Telekabel. Edhe pse jo të gjithë të anketuarit kanë lidhje interneti në shtëpi, 99.9% përdorin internet. Nga të anketuarit që kanë qasje në internet në shtëpi, 36.6% e dinë se cila është shpejtësia që operatori duhet të sigurojë, dhe nga ata, 87.8% mendojnë se e marrin shpejtësinë dhe sasinë e të dhënave të parapara nga ofruesi i internetit, thuhet në rezultatet e anketës.

Diç më shumë se një e katërta, apo 27.4% e të anketuarve, janë përballur me ndonjë problem gjatë përdorimit të internetit në shtëpi, që do të thotë se në vitin 2025, 72% e të anketuarve nuk kanë pasur problem me lidhjen e internetit në shtëpi.

– Problemet më të shpeshta me internetin janë përmendur: shpejtësi e paqëndrueshme e lidhjes (19.8%), ndërprerje/mospasja në dispozicion e shërbimit (16.1%) dhe probleme me pajisjet teknike (7.9%). Për shkak të ndërprerjeve ose mospasjes në dispozicion të shërbimit në 12 muajt e fundit, 47.5% e amvisërive kanë kontaktuar me ofruesin e internetit, dhe te 54.7% e tyre problemi është zgjidhur të njëjtën ditë, thuhet në gjetjet kryesore të anketës.

Përafërsisht një e katërta, apo 24.3% e amvisërive me qasje në internet kanë bërë ankesë telefonike te operatori i tyre, ndërsa plotësisht të kënaqur janë 40.1% e tyre. Ankesa me shkrim kanë bërë vetëm 1% e të anketuarve, thuhet në rezultatet e anketës së AKE.