ASH e Taravarit dënon ashpër deklaratën e Billal Kasamit: Fyerja e Shqipërisë është fyerje ndaj çdo shqiptari. Të kërkojë falje publike
Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë dënon ashpër deklaratën fyese të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili ka cilësuar Republikën e Shqipërisë si “shtet të dobët për ne” dhe ka sulmuar politikisht Ambasadorin e saj në Shkup, z. Denion Meidani.
Kjo gjuhë është e papranueshme nga një kryetar që moti kohë nuk përfaqëson tetovarët dhe fyen jo vetëm shtetin shqiptar si një vend aleat i NATO-s dhe partner i Bashkimit Evropian, por edhe dinjitetin e shqiptarëve kudo që ndodhen. Shqipëria ka qenë dhe mbetet mbështetëse e palëkundur e shqiptarëve jashtë kufijve të saj dhe përfaqëson aspiratat tona për zhvillim, integrim dhe dinjitet kombëtar. Deri sa Bilall Kasami mbetet mbështetës vetëm i interesave të VMRO-DPMNE-së, mos emërimin e rrugëve me emra të figurave të çmuara të historisë shqiptare, zhdukjes së gjurmëve të masakrës së “Monopolit”, rreshtimit në Qeverinë që raporti i BE-së e quan “nën ndikimin serbo-rus” dhe së fundmi ofendimin publik ndaj Republikës së Shqipërisë.
Sulmet ndaj ambasadorit Meidani janë sulme ndaj shtetit shqiptar dhe kërkojnë përgjegjësi publike. I bëjmë thirrje Bilall Kasamit të tërheqë deklaratat e tij dhe të kërkojë falje publike para çdo qytetari shqiptar.
Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë qëndron fuqishëm në mbrojtje të Shqipërisë si shtet europian, demokratik dhe faktor stabiliteti në rajon si dhe në krah të punës së palodhur të Ambasadorit Denion Meidani.