E vërteta pas tragjedisë: Çfarë shkaktoi vdekjen e Jotas? – hetuesit kanë disa pista

Besohen të kenë qenë disa shkaqe që çuan në aksidentin fatal ku humbën jetën sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllai i tij, Andre.

Dy vëllezërit humbën jetën pasi Lamborghini me të cilin po udhëtonin doli nga rruga në provincën spanjolle të Zamoras, teksa ishin rrugës nga Portugalia për në Santander.

Sipas raportimeve nga The Athletic, hetuesit pranojnë se mund të kenë ekzistuar ‘shkaqe të shumta’ që çuan në aksident.

Gjendja e autostradës A-52, ku ndodhi aksidenti, është tashmë objekt kritikash.

Në segmentin rrugor prej 300 kilometrash janë vërejtur gropa të mëdha në asfalt, ndërsa disa pjesë të karrexhatës janë në gjendje aq të keqe, saqë shoferët e ambulancave shmangin kalimin nga njëra anë në tjetrën dhe përdorin vetëm korsinë e shpejtë.

Angel Blanco, një zyrtar lokal i qeverisë, deklaroi në një konferencë për shtyp:

“Nuk dua të hyj në rrethanat. Makina u përmbys, u përfshi nga flakët dhe përfundimi ishte tragjik: dy të rinj humbën jetën. Duhet të ketë një hetim”.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Puebla de Sanabria, Jose Fernandez Blanco, tha për The Athletic:

“Për një qytet të vogël si yni, këto tragjedi sjellin tronditje të thellë dhe zemërim, që njerëz kaq të rinj, në kulmin e jetës, të humbasin jetën në këtë mënyrë”.

“Shprehim gjithë dhimbjen dhe ngushëllimet tona për familjen, prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët. Janë tragjedi të vështira për t’u përballuar”.

“Për të folur tani për gjendjen e rrugës… nuk është momenti i duhur. Këtë do ta përcaktojnë raportet e ekspertëve dhe hetimeve policore”, përfundoi ai.