Fakulteti i Kulturës Fizike i UT-së i filloi aktivitetet sportive në nderim të 249-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së
Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës organizoi sot një aktivitet simbolik me
rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një aktiviteti me
biçikleta, studentët dhe profesorët e Universitetit të Tetovës dhanë mesazhin e miqësisë, respektit
dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ky aktivitet nisi nga sheshi i Rektoratit të Universitetit të Tetovës, ku morën pjesë drejtues të
Universitetit, profesorë e studentë nga të gjitha fakultetet, si dhe punonjës të administratës. Me
flamuj në duar dhe me energji pozitive, pjesëmarrësit pedaluan përmes rrugës industriale drejt
“Monopolit” vazhduan nëpër qendrën e qytetit, më pas në drejtim të Xhamisë së Larme deri te
rrethrrotullimi në dalje të qytetit në drejtim të Gostivarit dhe përfunduan përsëri në sheshin e
Rektoratit para shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë historik Prof. Dr. Fadil Sulejmani.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli tha se Universiteti i
Tetovës dhe populli shqiptar janë të bekuar me miqësinë që kanë me popullin amerikan dhe me
institucionet amerikane, ndaj për të çmuar e respektuar partneritetin tonë, gjatë këtyre ditëve kemi
disa aktivitete sportive dhe kreative me të cilat shënojmë edhe Pavarësinë e SHBA-së. “Për të
qenë përkrah miqve tanë, për ta shfaqur solidaritetin dhe për të qenë në kuadër të afirmimit të
vlerave të cilat kanë të bëjnë sikurse me sferën e arsimit po ashtu edhe me respektimin e të drejtave
të qytetarëve në nivel botëror, me sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë. Pra të jemi përkrah
botës së civilizuar dhe t’i çmojmë miqtë tanë” – tha Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Dekania e Fakultetit të Kulturës Fizike Prof. Dr. Shpresa Memishi vlerësoi pjesëmarrjen e
gjerë dhe entuziazmin e treguar nga studentët dhe stafi i Universitetit, duke theksuar rëndësinë e
aktiviteteve që bashkojnë komunitetin universitar përreth vlerave të përbashkëta – sportit, lirisë dhe
respektit ndërkulturor. “Turi me biçikleta shërbeu jo vetëm si promovim i një jete të shëndetshme
dhe aktive, por edhe si shenjë nderimi ndaj një date të rëndësishme për historinë e demokracisë
globale, shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik 1776. Universiteti i Tetovës, përmes këtij
turi, riafirmoi angazhimin e tij për të kultivuar një frymë aktive qytetare, sportive dhe miqësore, në
një kontekst global gjithnjë e më të ndërlidhur”, theksoi Prof. Dr. Shpresa Memishi.
Përmbyllja e aktiviteteve sportive për nder të 4 Korrikut, 249-vjetorit, të shpalljes
së Pavarësisë së SHBA-së do të mbyllet nesër me ndeshjen finale të Beach Volleyt me fillim
në orën 18:30.