Afrim Fidani zyrtarisht emërohet Kryetar i Gjykatës Supreme – jep deklaratën solemne para Këshillit Gjyqësor

Gjykatësi Afrim Fidani është zyrtarisht Kryetar i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi sot dha betimin solemn para Këshillit Gjyqësor.

“Deklaroj dhe betohem se funksionin e kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta ushtroj me ndershmëri, ndërgjegje, pavarësi dhe përgjegjësi, do t’i respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe do t’i respektoj liritë dhe të drejtat e qytetarëve”,
— ishte deklarata solemne e dhënë nga Fidani, duke përsëritur pas kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.

Fidani tashmë është de jure në krye të gjykatës më të lartë në vend, më shumë se një muaj pasi u zgjodh në këtë funksion në një seancë të Këshillit Gjyqësor.

Më 26 maj, tetë anëtarë të Këshillit votuan “pro” zgjedhjes së Afrim Fidanit si kryetar i Gjykatës Supreme – pikërisht numri minimal i votave të nevojshme. Pesë anëtarë votuan kundër, përfshirë edhe kryetarin aktual të “qeverisë gjyqësore”, Aleksandar Kambovski.

Gjatë diskutimit para votimit, si mangësi të Fidanit u përmendën anonimiteti i tij në publik dhe në mesin e gjyqtarëve, si dhe njohuritë e pamjaftueshme për gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor.

Kundërkandidatja e Fidanit dhe ish-kryetarja e Gjykatës Supreme për periudhën 2021–2025, Besa Ademi, mori vetëm dy vota.