Kërkoi lirimin nga qelia, Apeli i GJKKO merr vendimin për Pajtime Fetahun

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, duke rrëzuar kërkesën e saj për lirimin nga qelia.

– Advertisement –
Seanca u zhvillua të mërkurën nën drejtimin e gjyqtarit Dhimitër Lara, i cili hodhi poshtë pretendimin e Fetahut se kishin përfunduar afatet ligjore të paraburgimit. Ish-gjyqtarja akuzohet nga SPAK se ka marrë para në këmbim të lehtësimit të pozitave penale të anëtarëve të grupit kriminal të Suel Çelës në Elbasan.

Roli i saj në këtë skemë korruptive është zbuluar pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e koduar SKY ECC, të siguruara nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme.

Vetëm pak ditë më parë, edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Fetahut, duke e lënë pa ndryshim vendimin për qëndrimin e saj në burg. Ndërkohë, më 28 maj, gjykata e posaçme rrëzoi një tjetër kërkesë të saj për zëvendësimin e masës së sigurisë, pasi Fetahu kishte pretenduar se ishte e sëmurë.

Aktualisht, ish-gjyqtarja ndodhet në Burgun e Grave në Pogradec, në pritje të përfundimit të hetimeve dhe nisjes së procesit gjyqësor ndaj saj.