10 mijë dollarë për spiunazh: SHBA arreston dy kinezë të dyshuar

Prokurorët amerikanë kanë ngritur akuza ndaj dy shtetasve kinezë, të cilët dyshohet se kanë vepruar si agjentë të shërbimit të sigurisë kineze, duke mbledhur informacione për bazat e Marinës amerikane dhe përpjekje për të identifikuar ushtarë amerikanë të gatshëm për të spiunuar për llogari të Pekinit, njofton Departamenti i Drejtësisë.

Sipas Reuters, të dyshuarit kanë organizuar një “pagesë përmes një vendi të fshehtë” prej të paktën 10 mijë dollarësh, e vendosur në një dollap në një qendër rekreative në Kaliforninë Veriore në vitin 2022, në këmbim të informacioneve të ndjeshme të sigurisë kombëtare që tashmë i ishin kaluar inteligjencës kineze.

Sipas njoftimit zyrtar të arrestuarit janë Yuance Chen, 38 vjeç, banues i përhershëm ligjor në Happy Valley të Oregonit, dhe Liren “Ryan” Lai, 39 vjeç, i cili kishte mbërritur në Houston nga Kina me vizë turistike në prill.

Raportohet se të dy kanë punuar në shërbim të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës.
Ministria e Jashtme kineze ka deklaruar se nuk është në dijeni të detajeve, por do të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat legjitime të qytetarëve të saj. “Ne gjithmonë kemi kundërshtuar ngritjen e panikut rreth të ashtuquajturve spiunë kinezë,” tha zëdhënësja Mao Ning në një konferencë për shtyp të mërkurën.

Nga ana tjetër, drejtori i FBI-së, Kash Patel, në një deklaratë zyrtare theksoi: “Partia Komuniste Kineze mendoi se po ia dilte me planin e saj për të vepruar në tokën amerikane, duke përdorur teknika të spiunazhit si vendet sekrete të pagesave për të shpërblyer burimet e saj.”