Shkruan: Merxhan Jakupi
Pas Luftës së Madhe, partizanët, së bashku me komandantët dhe komisarët, si një mjegull kishin zbritur nga malet. Kishin lënë pushkët dhe kishin rrokur penën.
Disa djem nga katundet e Sharrit kishin mbetur në frontin e Sremit, kurse disa ishin kthyer, kishin marrë grada dhe librezat e kuqe. Ish-komandantët, tashmë sekretarë të komiteteve, së bashku me disa oficerë, kishin organizuar një mbledhje dhe një darkë pompoze. Kishin ftuar të gjithë ish-partizanët nga të gjitha katundet e Malësisë së Sharrit.
Në këtë darkë të famshme u kënduan këngë për Titon, Stalinin dhe Enverin në gjuhën serbokroate. Në fund, disa rapsodë kënduan këngë në shqip për Titon, Stalinin dhe Enver Hoxhën:
Tito, Stalini dhe Enver Hoxha,
tre draguat e Malit të Sharrit
Janë si lisi me tri degë,
janë si buka prej një brumi.
Imamin e katundit, pasi rrëzimit të Krajlit, rrallë dilte në mezlixh. Po ashtu edhe ish-kuriri i Ahmet Zogut. Laha nuk merrte rrogë nga Mbreti. Disa thoshin se e kishte kapur fukarallëku. Për kuririn e Mbretit Zog kishte thashetheme, kinse kishte qenë spiun i dyfishtë. E këta të shkretët mbanin ende shpresë se do të kthehej Krajli dhe Mbreti Zog.
Imami kishte dërguar një kushëri për të përcjellë mbledhjen. Shumica e ish-partizanëve kishin mësuar te Dhaskali (mësuesi i Krajlit) dhe e flisnin mirë gjuhën serbokroate.
Një nga ish-partizanët ishte plagosur në front. Kishte marrë gradën e kapitenit dhe pension të përjetshëm. Në një pasqyrë xhepi mbante fotografinë e Stalinit. Shpesh, kur dilte te Guri i Katundit, i veshur me uniformë ushtarake, çallëmxhi e me kobure në brez, hipte në kalë me shalë dhe nisej për në qytet.
Pasi foli sekretari i komitetit për epopenë e Luftës së Madhe, në fund e mori fjalën ish-veterani me gradën kapiten. Me grushtin lart dhe me zë të fuqishëm tha: “Lavdi dëshmorëve! Rroftë Tito, shoku Stalin dhe Enver Hoxha!”
POSHTË STALINI, RROFTË TITO DHE ENVERI!
Tek kafeneja e Lutës kishin sjellë një transistor nga Beogradi. Në mbrëmje dëgjonin lajmet. Veteranët e Dovletit më së shumti dëgjonin Radion Ankara, ndërsa veteranët e Luftës së Madhe dëgjonin Radio Beogradin e ndonjëherë edhe Zagrebin. Shumica prej tyre kishin mësuar në shkollën katërvjeçare te Dhaskali (mësuesi i Krajlit). Po ashtu, në orën 20:00, dëgjonin edhe Radio Tiranën.
Ishte përhapur lajmi i kobshëm se Tito ishte ndarë nga mentori i tij, Shoku Stalin. Veteranët mbetën gojë hapur. Nuk e besonin. Disa thoshin se ishte vetëm propagandë, trillim. Tek tryeza ku rrinin bashkë veteranët e Dovletit dhe disa nga Balli Kombëtar, bisedonin me zë të ulët. Fytyra u qeshte.
Eh,tha Çaushi , nuk e dinë këta të shkretët ç’është komunizmi!
Çaushi kishte qenë ushtar, dhe pastaj kishte shërbyer si zabit, kryexhandar në Stamboll. Pas formimit të Republikës Turke ishte kthyer në vend. Ai kishte njohur shumë tatarë, çeçenë dhe azarë që kishin qenë në Gulag, ku kishin përjetuar tortura në spastrimet dhe kampet e Stalinit.
Rustem Topojani, me buzë në gaz dhe zë të ulët, tha: “Eh, këta komunistët, u rridhnin jargët nga puthjet, e tash po shahen, përlahen e kacafyten si gjelat e Zekës!”
Zeneli ia priti: “Dhe unë nuk e kam besuar se puna do vinte deri në këtë derexhe. Ishin betuar si dashnorët, e dashnorët deri në varr nuk do ta tradhtojnë njëri-tjetrin”.
Kërcej dhe foli Haqif Qafëgjati:“Nuk i shkon gjatë, do t’ia ndieni zanin edhe këtij tonit”. “Për kë e ke?”, pyeti njëri që ishte ulur pranë. “Kofsh bektesh, merre vesh”, iu përgjigj Çaushi në vesh. “Fjala është për Enver Hoxhën.”
Herët në agim, pleqtë që po shkonin për në xhami kishin parë sekretarin e komitetit, së bashku me dy policë dhe veteranin që të gjithë e thërrisnin Mejlo Topalli. Me ta ishte edhe një ish-partizan që kishte ardhur nga Vllahia.
Pas një jave, lajmi u përhap si flaka në kashtë: Ismail Topalli, stalinist i përbetuar, dhe Adnan Vllahija ishin dërguar në burgun famëkeq të Brioneve.
Tek Çukthi, pasi kishin dalë nga xhamia, ishin mbledhur pleqtë dhe disa veteranë të Dovletit. Besim Lura, duke i rënë tokës me bastunin që mbante, tha: “Në kohën e Krajlit e shanim Babë Sulltanin. E tash, pasi erdhën komunistat, po kërkojmë Krajlin e Mbretin Zog. Shih e mos thuaj se unë paskam folur keq për Krajlin! Dorën në zemër në kohën e Krajlit kishim mure e gardhe, e mbronim nderin e namuzin. Gratë, nënat e motrat tona mbanin ferexhe, perçe e shamija. Dini, feja e shartet e turqnisë ishin të lejuara. Fëmijët tanë shkonin në mektebe e xhami.
Myezini shtoi se edhe në askeri, ishte i ndamë kazani për myslimanët. E këta komunistët…
“Eh, këta komunistat janë duke na rrjepur e pirë gjakun!”, tha Myezin Efendiu, me një psherëtimë të thellë. “Abedin Brodit ia hyqimeti ia morën një mijë dele, qentë e çobanin! Po ashtu edhe Shaqir Gjinit, qehasë më të pasur në gjithë nahinë tonë të Malësisë , ia morën delet bashkë me gjithë stanet”, tha ai.
Rustem Topojani ia priti: “Të lumtë goja, Mezin Efendi! Ma more fjalën prej gjuhe. Në pranverë kur vjen kasapi, dy qingja për Titon e një qingj për qehanë. Dy okë lesh për hyqmetin, një për qehanë”.
E mori fjalën Zeneli, dhe tha: “Një shinik drithë për fukaranë e shkretë e dy shinikë për hyqmetin!”.