Franca mbyll centralet bërthamore për shkak të valës së të nxehtit

Kompania shtetërore franceze e energjisë, EDF ka mbyllur termocentralin e saj bërthamor “Golfech”, në jug të vendit në përgjigje të nxehtësisë ekstreme në zonë.

“Mbyllja u krye për të parandaluar mbinxehjen e lumit Garonne, nga i cili termocentrali merr ujë ftohës”, tha sot EDF-ja.

Për shkak të motit të mesit të verës, lumi Garonne pritej të arrinte një temperaturë prej 28 gradësh Celsius.

EDF-ja nuk specifikoi se sa kohë do të mbetej impianti i mbyllur.

Vala e të nxehtit në Francë, me temperatura që arrijnë 40 gradë Celsius, pritet të vazhdojë deri në mesjavë.

Ndërkohë, termocentrali bërthamor ”Blayais” në Francën perëndimore po redukton prodhimin për të parandaluar mbinxehjen e grykëderdhjes së Gironde.

Termocentrali bërthamor ”Bugey” në jug, i cili merr ujë ftohës nga lumi Rhone, po shqyrtohej gjithashtu për mbyllje.

”Kufizimi ose mbyllja e centraleve bërthamore gjatë valëve të të nxehtit ka çuar në një ulje mesatare të prodhimit vjetor të energjisë elektrike prej 0,3 për qind që nga viti 2000”, theksoi kompania.