Në këtë 4 Korrik, mesazhi ynë është i qartë: miqësia me Amerikën është pasuri
kombëtare dhe duhet të trajtohet si e tillë; politika shqiptare, në të gjitha nivelet,
duhet të flasë me një zë kur bëhet fjalë për partneritetin me SHBA-të; integrimi
euroatlantik i Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve është një mision që nuk mund
të zvarritet dhe as të negociohet. E ardhmja jonë është me botën e lirë, me SHBA-
në si aleatin tonë të parë dhe të pazëvendësueshëm.Le të jetë ky 4 Korrik jo
vetëm një ditë urimi për miqtë tanë amerikanë, por edhe një ditë reflektimi për ne,
për të kuptuar se liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Dhe se miqësia nuk
është për t’u shfrytëzuar, por për t’u ruajtur, kultivuar dhe nderuar.
Nga Prof. dr. Skender Asani
4 Korriku nuk është vetëm një datë që shënon lindjen e një shteti të lirë – Shtetet e
Bashkuara të Amerikës por edhe momenti kur nisi të ndërtohet një filozofi politike dhe
njerëzore, e cila u bë frymëzim për popuj të tërë që kërkonin të drejtën për ekzistencë,
vetëvendosje dhe dinjitet. Për shqiptarët, kjo datë lidhet ngushtë me aktin historik të
Presidentit Udrou Uillson, i cili në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 kundërshtoi
me vendosmëri ndarjen e trojeve shqiptare dhe i dha zë të drejtës së tyre për të pasur
një shtet të vetin. Ndërsa bota e vjetër përpiqej të rikthehej në ekuilibra të konsumuar,
Uillsoni hodhi themelet e një miqësie të re asaj shqiptaro-amerikane e cila për ne është
shndërruar në një nga shtyllat më të qëndrueshme të sigurisë kombëtare dhe të
orientimit tonë gjeopolitik.
Uillsoni nuk bëri thjesht një gjest diplomatik, por një akt madhor moral dhe politik, i cili
ndryshoi rrjedhën e historisë për shqiptarët. Ai vendosi themelet e një aleance që jo
vetëm ka mbijetuar nëpër kohë, por ka qëndruar e palëkundur edhe gjatë periudhave
më të trazuara të Ballkanit. Kjo lidhje nuk i përket vetëm së kaluarës, por mbetet
imperative që në të tashmen të rifreskohet, të forcohet dhe të institucionalizohet. Për
këtë arsye, rikujtohet me respekt dhe vlerësim propozimi i Faik Konicës që në vitin 1924
qyteti i Shën Gjinit të merrte emrin e Presidentit Uillson një simbolikë e fuqishme që
mbeti si testament i gjallë i respektit dhe mirënjohjes së ndërsjellë. Sot, është më tepër
se domosdoshmëri që në Prishtinë dhe në Tiranë të ngrihen muze të miqësisë
shqiptaro-amerikane, ku kjo aleancë strategjike të konservohet dhe të shndërrohet në
trashëgimi kulturore, edukative dhe diplomatike për brezat që vijnë.
Ashtu siç Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Mesjetë mbrojti kufijtë e qytetërimit evropian,
dhe siç Gonxhe Bojaxhiu Nënë Tereza në shekullin XX shëroi plagët e njerëzimit me
dashuri dhe përulësi, sot është koha që bota e lirë, me në krye Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, të dalë sërish në mbrojtje të popullit të tyre popullit të Gjergjit dhe të Nënës
Terezë në frymën dhe vizionin e Presidentit Uillson.
Në këtë epokë sfidash të reja dhe riformësimesh të vjetra gjeopolitike, shqiptarët të
shpërndarë në më shumë se një shtet kanë ende një proces historik të papërmbyllur.
Dhe ashtu siç Presidenti Uillson e nisi me guxim dhe vizion këtë kapitull një shekull më
parë, sot shqiptarët presin që politika amerikane ta çojë përpara këtë ideal: përkrahjen e
pakushtëzuar për konsolidimin e plotë të shtetit të Kosovës, për njohjen e saj të
pakthyeshme ndërkombëtare dhe për integrimin e saj të plotë në strukturat
euroatlantike.
Në këtë kontekst, dinamika aktuale ndërkombëtare po krijon një dritare strategjike të re
për historinë politike dhe shtetformuese të shqiptarëve. Pas suksesit të shënuar në
proceset e normalizimit në Lindjen e Mesme nga administrata e Presidentit Donald
Trump, pritshmëritë janë që në mandatin e tij të dytë, një ndër prioritetet e hershme të
jetë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe
Republikës së Serbisë, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të diplomacisë amerikane në Zyrën
Ovale. Një marrëveshje e tillë do të përbënte një moment kyç, jo vetëm për konsolidimin
e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por edhe për mbylljen e një kapitulli të
gjatë të shtetformimit të vonuar të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.
Në këtë rrethanë, kapacitetet institucionale dhe elitat politike të Kosovës, të shoqëruara
me spektrin e gjerë shoqëror, duhet të jenë të përgatitura për të artikuluar dhe mbrojtur
me pjekuri interesin kombëtar. Vetëm një mobilizim gjithëpërfshirës, me koordinim të
qartë dhe qëndrime të unifikuara, mund të garantojë një epilog të drejtë dhe të
qëndrueshëm për të ardhmen e shtetësisë së Kosovës.
Një prej zgjidhjeve racionale dhe në përputhje me standardet e së drejtës
ndërkombëtare, që garanton ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës,
por që njëkohësisht adreson kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me të drejtat
e komunitetit serb, mbetet institucionalizimi i një forme të avancuar të bashkëpunimit
strategjik me Republikën e Shqipërisë. Një model i tillë do të fuqizonte pozitën
ndërkombëtare të shqiptarëve në rajon, duke respektuar plotësisht arkitekturën
kushtetuese dhe parimet e funksionimit të shteteve përkatëse, pa cenuar sovranitetin e
tyre, ashtu siç e kërkon edhe rendi ndërkombëtar bashkëkohor.
Në këtë konfigurim të ri gjeopolitik, vlen të theksohet se Presidenti Donald Trump, pas
propozimit të tij që shtetet anëtare të NATO-s të rrisin kontributin e tyre në mbrojtje me
5 përqind, ka deklaruar në mënyrë të qartë dhe të paekuivokë se është i vendosur të
parandalojë çdo përpjekje për një sulm ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës, duke e
konsideruar këtë si një vijë të kuqe të panegociueshme për paqen dhe stabilitetin e
rajonit. Ky angazhim i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e Presidentit
Trump, në koordinim me sukseset e tij diplomatike në Lindjen e Mesme, krijon një
momentum të ri dhe të favorshëm për avancimin e proceseve shtetformuese të
Kosovës dhe për rikonfigurimin e raporteve rajonale në funksion të aritjes se paqes se
qendrushme ne Ballkan.
Po në këtë frymë, e pashmangshme mbetet edhe ngritja e çështjes së Luginës së
Preshevës si pjesë përbërëse e arkitekturës së re të stabilitetit rajonal. Kjo nuk duhet
parë vetëm në prizmin e të drejtave kolektive të shqiptarëve që jetojnë në këto treva,
por edhe si një domosdoshmëri e ndërtimit të një urë të qëndrueshme kulturore,
ekonomike dhe institucionale ndërmjet Kosovës dhe kësaj hapësire shqiptare, duke
mos cenuar sovranitetin e shteteve dhe duke respektuar standardet e njëjta që
bashkësia ndërkombëtare kërkon për komunitetin serb në Kosovë. Një model i tillë i
avancuar i vetëqeverisjes, i lidhur me zhvillimin ekonomik dhe garantimin e identitetit
kombëtar, do të ishte jo vetëm kontribues në paqen e qëndrueshme, por edhe në
integrimin më të lehtë euroatlantik të gjithë rajonit.
Në mënyrë paralele, edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në këto momente
historike, duhet të flasin me një zë të vetëm për shtetformësinë e tyre, e cila në vitin e
fundit është vënë seriozisht në rrezik nga qasja përjashtuese e establishmentit shtetëror
maqedonas. Nevojitet një sensibilizim i thelluar i opinionit ndërkombëtar, sepse
shqiptarët atje kanë dëshmuar me konstruktivitetin dhe racionalitetin e tyre se janë
shtylla e kohezionit të brendshëm dhe garancia më e fuqishme e orientimit euroatlantik
të Maqedonisë së Veriut. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të theksohet se
Marrëveshja e Ohrit dhe avancimi i pandalshëm në frymën e saj përbëjnë jo vetëm
themelin e rendit demokratik dhe shumëetnik të këtij shteti, por edhe procesin e të
ardhmes evropiane të tij. Çdo tentativë për të minuar, relativizuar apo devijuar këtë
marrëveshje nga qarqe të caktuara politike është, në fakt, një akt që jo vetëm cenon të
drejtat e shqiptarëve, por njëherësh e vë në pikëpyetje stabilitetin e brendshëm dhe
perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Çdo qasje që synon t’i
margjinalizojë shqiptarët është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj arkitekturës
demokratike, ndaj paqes së qëndrueshme dhe ndaj procesit të integrimit evropian të
këtij shteti, sepse shqiptarët janë dhe mbeten faktor kyç jo vetëm për kohezionin e
brendshëm, por edhe për garantimin e rrugës së pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian
dhe NATO-s.
Shqiptarët janë thellësisht mirënjohës për ndihmën amerikane historike dhe
bashkëkohore. Kjo miqësi nuk është produkt i rastësisë, por është ndërtuar mbi vlera të
përbashkëta: liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Pikërisht për këtë, elitat politike dhe
shtetërore shqiptare kanë detyrimin që në mënyrë permanente ta kultivojnë këtë miqësi
të natyrshme dhe strategjike, duke mos lejuar që viruse të ndryshme ideologjike,
ekonomike apo propagandistike ta zbehin ose relativizojnë këtë lidhje të çmuar që na
dallon në rajon.
Në këtë 4 Korrik, mesazhi ynë është i qartë: miqësia me Amerikën është pasuri
kombëtare dhe duhet të trajtohet si e tillë; politika shqiptare, në të gjitha nivelet, duhet të
flasë me një zë kur bëhet fjalë për partneritetin me SHBA-të; integrimi euroatlantik i
Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve është një mision që nuk mund të zvarritet dhe as të
negociohet. E ardhmja jonë është me botën e lirë, me SHBA-në si aleatin tonë të parë
dhe të pazëvendësueshëm.
Le të jetë ky 4 Korrik jo vetëm një ditë urimi për miqtë tanë amerikanë, por edhe një ditë
reflektimi për ne, për të kuptuar se liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Dhe se
miqësia nuk është për t’u shfrytëzuar, por për t’u ruajtur, kultivuar dhe nderuar.
Urime 4 Korrikun, Amerikë! Populli shqiptar është krenar që ka një mik si ti.
Si studiues i historisë dhe si pjesë e një kombi që përmes shekujve është përballur me
mohim, copëtim dhe përpjekje të pareshtura për njohje, e ndjej si detyrim të theksoj se
aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ne shqiptarët është shumë më tepër
sesa një partneritet politik. Ajo është një besëlidhje historike që na ka shpëtuar si komb
dhe na ka orientuar drejt vlerave të qytetërimit perëndimor. Për këtë arsye, çdo 4 Korrik
është edhe dita jonë – dita kur rikujtojmë se liria është dhuratë që nuk merret si e
mirëqenë, por mbrohet, nderohet dhe kultivohet çdo ditë.
Shkup, 30 qershor 2025