Valët e të nxehtit vazhdojnë të përfshijnë pjesë të mëdha të Evropës, duke detyruar autoritetet në shumë shtete të lëshojnë paralajmërime shëndetësore për shkak të temperaturave përvëluese. Zona më e prekur është jugu i Spanjës, ku në Sevilje dhe rrethina janë regjistruar temperatura mbi 40 gradë Celsius.
Sipas të dhënave nga shërbimi shtetëror meteorologjik i Spanjës, të shtunën në qytetin El Granada është vendosur rekordi i ri për muajin qershor me 46°C. Të njëjtat burime tregojnë se ky muaj është në rrugë të bëhet qershori më i nxehtë ndonjëherë i matur.
Paralajmërime të kuqe për të nxehtin ekstrem janë në fuqi në disa pjesë të Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, ndërsa paralajmërimet portokalli mbulojnë zona të Spanjës, Francës, Austrisë, Belgjikës, Bosnjës e Hercegovinës, Hungarisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Zvicrës, sipas raportimit të BBC.
Viktima nga të nxehtit në Barcelonë
Në Barcelonë, një grua humbi jetën pas përfundimit të ndërrimit të saj si pastruese rruge të shtunën, kur temperaturat ishin shumë të larta. Autoritetet lokale po hetojnë rrethanat e vdekjes së saj.
Në Itali, spitalet emergjente kanë parë rritje të rasteve me goditje nga i nxehti, sidomos tek të moshuarit, pacientët onkologjikë dhe personat pa strehë, sipas zëvendëspresidentit të Shoqatës Italiane të Mjekësisë Emergjente. Spitale si “Ospedale dei Colli” në Napoli kanë vendosur protokolle të veçanta për trajtimin e pacientëve, si zhytja në ujë të ftohtë.
Temperatura rekord në Slloveni dhe masat në qytete të ndryshme
Në Slloveni është regjistruar temperatura më e lartë ndonjëherë për muajin qershor. Qyteti italian Bologna ka hapur shtatë qendra të freskëta me ujë të pijshëm, ndërsa në Romë, qytetarët mbi 70 vjeç kanë hyrje falas në pishinat publike. Në Lisbonë, një farmacist tregoi për agjencinë Reuters se tashmë janë regjistruar raste me goditje nga të nxehtit dhe djegie, pavarësisht paralajmërimeve për të qëndruar brenda gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Vala e të nxehtit ka prekur edhe Ballkanin Perëndimor, ku temperaturat kanë kaluar 40°C. Në Serbi është regjistruar temperatura më e lartë ndonjëherë për 26 qershorin që nga shekulli XIX. Edhe në Maqedoninë e Veriut janë raportuar temperatura deri në 42°C të premten.
Temperaturat e larta pritet të vazhdojnë
Në disa vende, temperaturat do të vazhdojnë të rriten deri në mesjavë. Një tjetër valë të nxehti pritet të godasë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar ditët në vijim. Në Londër, temperaturat sot mund të arrijnë deri në 35°C.
Kjo valë e të nxehtit është shkaktuar nga një zonë e presionit të lartë me ajër të thatë që zbret dhe nxehet, duke shkaktuar ngrohje të qëndrueshme. Ky sistem pritet të zhvendoset drejt lindjes duke sjellë temperatura të larta edhe në veri dhe lindje të Evropës.
Megjithëse është e vështirë të lidhen drejtpërdrejt ngjarjet ekstreme me ndryshimet klimatike, valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive për shkak të tyre. Sipas shkencëtarëve të organizatës World Weather Attribution, valët e të nxehtit në qershor me temperatura mbi 28°C për tre ditë rresht tani janë 10 herë më të mundshme sesa në periudhën paraindustriale.