Mickoski: Nuk është problem ndryshimi i Kushtetutës, por identiteti

“Tentimi i krijimit të kombit modern maqedonas dhe gjuhës së re moderne maqedonase, konfirmon se nuk është problem ndryshimi i Kushtetutës, por identiteti dhe gjuha”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar votimin e djeshëm në Komitetin për punë të jashtme në Parlamentin Evropian.

Dje, dështoi përpjekja e eurodeputetëve bullgarë për të futur amendament që do t’i shtonte fjalën “modern” fjalëve “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” në Raportin e Progresit të Maqedonisë.

“Nuk e shoh këtë si fitore, por si zhgënjim”, tha kryeministri Mickoski në një intervistë për RTVM.

“Pse? Sepse në shekullin e 21-të, në Evropë, pamë përpjekje për të krijuar një komb dhe identitet artificial. Sepse ai amendament që u propozua është de facto përpjekje për të krijuar komb të ri modern maqedonas, ose gjuhë të re moderne maqedonase, e cila në vetvete është një precedent. Si qenie njerëzore dhe si maqedonas, jam i zhgënjyer. Nuk e shoh këtë si sukses, por si diçka që për ne përfaqësonte një pengesë që e kemi kapërcyer”, u përgjigj Mickoski.

Por sipas kryeministrit, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi është njoftuar se do të paraqitet amendament i ngjashëm me Raportin, kur sipas informacioneve të fundit, ai do të jetë në seancë plenare më 8 ose 9 korrik.

“Për ne, kjo është vetëm konfirmim se golgota që kemi kaluar në këto 25 vjet që nga fillimi i rrugës sonë dhe 20 vjet si kandidat – vazhdon. Dhe se të gjithë ata që në të kaluarën mendonin se do të nënshkruanin ndonjë koncesion kombëtar dhe se do t’i jepnin fund të gjitha shqetësimeve – i mashtruan qytetarët. Ndoshta edhe ata u mashtruan, ndoshta besuan se diçka do të realizohej. Por kjo nuk e zvogëlon dhimbjen e qytetarëve, sepse ata nënshkruan pa i pyetur qytetarët. Dhe tani qytetarët po paguajnë çmimin, me faktin se sot ata dëshmuan një përpjekje për të krijuar një komb të ri modern maqedonas dhe një gjuhë të re moderne maqedonase. Kjo konfirmon se problemi nuk ishte ndryshimi i Kushtetutës, por identiteti, thelbi i këtij populli, gjuha”, tha Mickoski.