Neymari e vazhdon kontratën me Santosin

Gjashtë muaj pas rikthimit te klubi i fëmijërisë, Neymar ka vendosur të vazhdojë aventurën me Santosin.

Klubi brazilian konfirmoi zyrtarisht mbrëmjen e së martës se ylli i tyre ka nënshkruar një kontratë të re.

Kontrata aktuale e Neymarit pritej të përfundonte në fund të qershorit, por sulmuesi brazilian ka rënë dakord për një marrëveshje të re gjashtëmujore, e cila do ta mbajë te Santos deri në dhjetor 2025.

Vetëm pak ditë më parë, në një intervistë për gazetën L’Équipe, babai dhe njëkohësisht përfaqësuesi i tij, Neymar Sr, zbuloi se disa klube evropiane kishin shprehur interes për ta afruar lojtarin për sezonin e ardhshëm.

Në çdo rast, ish-sulmuesi i Barcelonës dhe PSG-së ka zgjedhur të qëndrojë në Brazil, të paktën deri në fund të vitit.

Vendimi i tij është pritur me entuziazëm nga tifozët e Santosit, të cilët kanë shijuar rikthimin e idhullit të tyre në terrenet ku nisi gjithçka për të.