Ribalanci i buxhetit në RMV: Inflacion më i lartë, përqindje e njëjtë e rritjes së PBB-së

Presioni i çmimeve në Maqedoninë e Veriut i ka “shkrirë” pritjet për inflacion prej 2,2% këtë vit ekonomik – sipas vlerësimeve të reja të buxhetit, inflacioni do të jetë pak më pak se 3%. Strategjia e re Fiskale 2026-2030, e cila ishte një pararendëse e rebalancit të buxhetit, tregon për një deficit tregtar më të madh se sa që parashikohet aktualisht, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Rritje e çmimeve
Ndryshe nga pozicionet aktuale të buxhetit, sipas vlerësimeve të reja të buxhetit, inflacioni megjithatë do të përshpejtohet. Sipas parashikimeve fillestare, ky vit duhej të mbyllej me një përqindje inflacioni prej 2,2%, ndërsa sipas parashikimeve të reja, do të mbyllet me një inflacion prej 2,8%. Ministria e Financave në vlerësimet e saj të reja fiskale konfirmon se që nga fillimi i këtij viti ka pasur një rritje të çmimeve, kryesisht te produktet ushqimore.

“Në tremujorin e parë të vitit 2025, përqindja mesatare e inflacionit ishte 4,2% dhe në periudhën e analizuar, çmimet e ushqimeve u rritën për 4,1%, ndërsa çmimet e derivateve të naftës u ulën për 2,7%. “Inflacioni bazë në periudhën janar – mars 2025 është 5,5% dhe për dy muajt e fundit me radhë ka regjistruar një ngadalësim të rritjes, megjithëse ende është në një nivel të lartë” – thuhet në Strategjinë Fiskale 2026 – 2030.

Rritje e PBB-së
Edhe pse me rishikimin veror të buxhetit të vitit 2025, ai u rrit për 1% si në anën e të ardhurave ashtu edhe në atë të shpenzimeve, përqindja e rritjes ekonomike mbetet e pandryshuar prej 3,7%. Pavarësisht faktit se jemi në një vit zgjedhor në të cilin pritet një efekt më i ndjeshëm nga kredia hungareze përmes nisjes së projekteve në nivel lokal dhe investimeve private, si dhe aktivizimit të projekteve nga Plani i Rritjes së BE-së, vlerësimet e PBB-së mbeten në të njëjtin pozicion.

“Një kontribut i madh për rritjen në vitin 2025 pritet të japin investimet bruto me një rritje prej 8,6%, kryesisht si rezultat i intensifikimit të zbatimit të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti (korridoret 8 dhe 10 dhe infrastruktura hekurudhore), të shoqëruara me masa për të optimizuar kostot, dinamikën dhe kushtet e ndërtimit. Në periudhën 2026 – 2030, investimet pritet të rriten me një përqindje mesatare prej 7,8%, në kushte të një niveli të lartë të investimeve kapitale të planifikuara në buxhet” – presin nga Ministria e Financave.

Priten norma më të larta të rritjes së PBB-së nga viti i ardhshëm, kështu që në vitin 2026 rritja duhet të jetë 4%, ndërsa në vitin 2027, 4.2%, dhe kjo tendencë rritjeje duhet të ruhet në vitet në vijim.

Deficiti buxhetor dhe bilanci i pagesave
Sipas njoftimeve të Ministreshës së Financave, megjithëse të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore janë rritur për 1 për qind për shkak të rebalancit, deficiti buxhetor do të mbetet në të njëjtin nivel prej 4% të PBB-së.

“Qasja e disiplinuar ndaj menaxhimit të financave publike do të vazhdojë, deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar si në terma absolutë ashtu edhe si përqindje e PBB-së dhe është më i ulët se deficiti i arritur vitin e kaluar, e gjithashtu zbatojmë një qasje të kujdesshme dhe serioze ndaj menaxhimit të borxhit publik” – tha ministresha. Në Strategjinë e re Fiskale, ku krahasohen parashikimet afatmesme me dokumentin aktual të buxhetit, thuhet se deficiti buxhetor për këtë vit do të jetë 4,3%.

Eksportet e kompanive vendase vazhdojnë të mbeten një “segment problematik”. Strategjia e re Fiskale, krahasuar me atë aktuale, parashikon një përqindje më të ulët të rritjes së aktivitetit eksportues, nga 4,3% në 2,2%. Me rebalancin e buxhetit, shpenzimet kapitale do të arrijnë në 772,3 milionë euro, ose pak më shumë se shuma e planifikuar aktuale. Buxheti i rebalancuar për vitin 2025 tashmë u është dërguar deputetëve për miratim.