“Formula Trump për Kosovën” – Paradigma e Realpolitikës që Shemb Diplomacinë e Iluzionit

“Nuk janë tryezat e pafundme të dialogut që sjellin paqen, por aktet vendimtare të liderëve që guxojnë të imponojnë drejtësinë përballë iluzioneve. Historia nuk ecën me hapa të vogla nëpër korridoret e burokracisë, por përshkruan kthesa të mëdha kur politika bëhet vizion dhe fuqia merr formën e së drejtës.”

Në një epokë kur diplomacia perëndimore po fundoset në balancime sterile dhe dialog të pafrytshëm, rikthimi i Donald J. Trump përbën më shumë se një ndryshim politik – është një tronditje tektonike në vetë strukturën e trajtimit të çështjes Kosovë-Serbi.

Analisti Qani Shabani thekson se kjo kthesë përfaqëson një përplasje të hapur mes realpolitikës amerikane dhe formalizmit të stërzgjatur europian, ku Brukseli ka preferuar menaxhimin në vend të zgjidhjes.

Deklarata e tij e prerë, “Unë do ta zgjidh sërish”, është një sinjal gjeopolitik i nivelit të lartë: një rikthim i logjikës së imponimit të drejtësisë përmes fuqisë dhe vendimmarrjes së padiskutueshme. Trump nuk negocion me mjegullën e status quo-së; ai e konverton paqartësinë në zgjidhje përmes logjikës së interesit kombëtar amerikan dhe stabilitetit euroatlantik.

Në vitin 2020, administrata e tij e shkëputi Kosovën nga rrethrrotullimi burokratik i Brukselit dhe e pozicionoi si pikë kyçe në aksin strategjik të Uashingtonit, duke garantuar njohjen nga Izraeli dhe duke refuzuar çdo tendencë për ndarje territoriale. Ky ishte një akt me fuqi paradigmatike, që sfidoi teorinë se dialogu duhet të zgjasë për hir të vetvetes.

“Formula Trump” nuk është koncept diplomatik tradicional – është një doktrinë e heshtur e imponimit të rendit, që e vendos Serbinë përballë një zgjedhjeje ekzistenciale: ose orientim drejt Perëndimit me njohjen e Kosovës, ose izolim fatal në orbitën gjeopolitike të Moskës.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

Ky rikthim në skenën globale shkund nervin e lodhur të diplomacisë evropiane, që ka bërë më shumë menaxhim sesa zgjidhje. Brukseli e ndien qartë sfidën që paraqet një trajtim amerikan, jashtë kornizave të Komisionit Evropian. Ajo që BE për dekada ka kërkuar ta ruajë si një konflikt të kontrolluar dhe të pazgjidhur – me ritme burokratike, raporte teknike dhe takime pa fund – rrezikon tani të marrë një zgjidhje të shpejtë që e nxjerr BE-në jashtë loje.

Nervozizmi në qendrat diplomatike evropiane dukshëm do të shfaqet. Rikthimi i Trump nuk shihet thjesht si rotacion pushteti në SHBA, por si kërcënim për vetë autoritetin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet për ta mbajtur dialogun Kosovë-Serbi në një kornizë teknike, me një prani të dobët politike, po zëvendësohen nga presioni për veprime të qarta, përfundimtare dhe me garanci të fuqive të mëdha.

Në këtë kontekst, Kosova duhet të ruajë maturinë shtetërore dhe qëndrimin strategjik të qartë: çdo ofertë ndërkombëtare, sado të vijë nga një fuqi globale si SHBA, duhet të kalojë përmes filtrit të interesit shtetëror dhe legjitimitetit kushtetues. Nëse një marrëveshje eventuale, edhe e imponuar nga administrata Trump, cenon sovranitetin, integritetin territorial ose identitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, atëherë ajo nuk mund të pranohet – përkundrazi, duhet refuzuar me dinjitet institucional dhe unitet kombëtar.

Sepse miqësia me SHBA-të është e përhershme, por ajo nuk duhet keqkuptuar si nënshtrim ndaj zgjidhjeve të dëmshme. Ajo duhet të jetë partneritet i barabartë në vlerë, jo thjesht pranim i çdo formule, sidomos nëse ajo nuk respekton sakrificën historike të popullit të Kosovës.

Kosova, në këtë pikë, nuk është më një “çështje lokale” – por një katalizator i ekuilibrave ndërkombëtarë.

Çdo qeveri në Kosovë që nuk e kupton këtë dinamikë, rrezikon të humbasë një momentin strategjik që nuk përsëritet. Sepse diplomacia e së ardhmes nuk do të matet me qëndrime neutrale, por me aftësinë për të kapur rrymat e mëdha të realpolitikës globale. Dhe “Formula Trump” është një prej tyre – por jo nëse shndërrohet në presion për zgjidhje ajo duhet të Refuzohet.