Rrugët Shtetërore: Kanë përfunduar 95% e projektimeve për eksproprijim në autostradën Tetovë-Gostivar! 46% për Gostivar-Bukojçan dhe 78% për Prilep-Manastir
Raporti nga mbikëqyrja për progres të punëve për akset e autostradës së Korridoreve 8 dhe 10D, që i ndërton konzorciumi “Behtel dhe Enka” për periudhën prej 1 deri më 30 prill të këtij viti tregon se kanë përfunduar 95 për qind e projektimeve për eksproprijim për aksin e autostradës Tetovë-Gostivar, 46 për qind për Gostivar-Bukojçan, ndërkaq 78 për qind për aksin Prilep-Manastir.
Sipas Raportit, të publikuar dje në ueb faqen e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH), për aksin Bukojçan-Gostivar, janë realizuar 73 për qind e hulumtimeve gjeoteknike, ndërsa për aksin Prilep-Manastir 63 për qind.
Mbikëqyrja regjistroi përparim prej 60 për qind të punëve për specifikimin dhe projektimin e autostradës Tetovë-Gostivar, ndërsa 30 për qind për aksin Bukojçan-Gostivar, ndërkaq prej 49 për qind për aksin Prilep-Manastir.
Nga aktivitetet ndërtimore që po zhvillohen në tre akset (Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan dhe Prilep-Manastir) janë punë tokësore në trasenë kryesore, sanim i lëshimeve, armim dhe betonim i urave, rregullim i regjimeve të përkohshme rrugore, po bëhen gërmime dhe po kryhet mbrojtja e shpateve. Të gjitha aktivitetet po zhvillohen me dinamikë të shtuar.
ads.tetovasot.com
ads.tetovasot.com
Kompanisë “Behtel dhe Enka” deri më tani i janë paguar gjithsej 301.088.222,79 euro. Në prill të këtij viti, sipas Raportit të mbikëqyrjes, ka pasur dy pagesa nga shteti përmes NPRRSH, prej 599.794.350 denarëve, më datë 22, dhe prej 524.972.228 denarëve më datë 30.
Për aktivitetet, kryesi përfshi në muajin prillin, ka angazhuar 1833 persona dhe 1082 makina ndërtimi.
Ndaj kompanisë “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10d përfundimisht me vitin e kaluar janë pagur 261 milionë euro, ndërsa këtë vit, për atë dedikim në buxhetin e Ministrisë së Transportit janë paraparë 130 milionë euro. Është planifikuar të punohet tërësisht në tërë trasenë Tetovë-Gostivar në gjatësi prej 17 kilometrave, në Gostivar-Bukojçan përafërsisht 17 kilometra dhe Prilep-Manastir 25 kilometra.
Marrëveshja me “Behtel dhe Enka” në vlerë prej 1,3 miliardë eurove ishte arritur në mars të vitit 2023.