Shtatë vjet nga Marrëveshja e Prespës: Çfarë u arrit dhe çfarë mbetet pezull mes Shkupit dhe Athinës?

Më 17 qershor 2018, pikërisht shtatë vjet më parë, në fshatin e vogël Nivicë (Psarades), në bregun e Liqenit të Prespës në anën greke, Shkupi dhe Athina nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, me të cilën u mbyll një kontest shumëvjeçar mes dy vendeve. Republika e Maqedonisë e ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut, Greqia e njohu gjuhën maqedonase dhe përkatësinë kombëtare maqedonase, vendi u bë anëtare e NATO-s dhe u intensifikua bashkëpunimi dypalësh me Greqinë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Marrëveshja u arrit në periudhën kur në Greqi ishte në pushtet partia SYRIZA, ndërsa tek ne LSDM-ja. Ajo u nënshkrua nga atëhershmit ministra të punëve të jashtme, Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias, në praninë e kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, ndërmjetësit në bisedime Matthew Nimetz, ish-komisionerit për zgjerim Johannes Hahn, ish-përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme Federica Mogherini dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë dhe të dy vendeve.

Tetë muaj pas nënshkrimit dhe pas ratifikimit në Kuvendin tonë dhe në Parlamentin grek, më 12 shkurt 2019 Marrëveshja zyrtarisht hyri në fuqi.
Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë u riemërua në Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia u përcaktua si maqedonase/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjuha si maqedonase.

Vendi u bë anëtarja e 30-të e NATO-s, dhe megjithëse çështja e emrit për vite u konsiderua pengesë për integrimin në BE, ajo ende nuk e hapi plotësisht rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Me Greqinë, shtatë vjet më vonë, pavarësisht ndryshimeve të pushtetit në të dy vendet, marrëdhëniet dypalëshe janë në nivel të mirë.
Zgjidhjes i paraprinë negociata që zgjatën 27 vjet – me periudha intensive, por edhe me bllokada të gjata – deri në fund të vitit 2017, kur rifilluan bisedimet pas një pauze trevjeçare dhe u arrit Marrëveshja.

Më 30 shtator 2018, pak më shumë se tre muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, qytetarët maqedonas u thirrën në referendum për të shprehur mendimin mbi pyetjen:
“A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Pjesëmarrja në referendum ishte e ulët – votuan vetëm 36,91% e votuesve të regjistruar; prej tyre, 91,47% u shprehën “për”, ndërsa 5,64% “kundër”.
Sipas rezultateve përfundimtare, referendumi nuk u miratua zyrtarisht, pasi nuk votuan më shumë se gjysma e elektoratit të regjistruar.

Në Greqi, edhe pse një vit pas nënshkrimit ndryshoi qeveria, Marrëveshja respektohet. Gjatë viteve të kaluara u intensifikua bashkëpunimi mes dy vendeve në fusha të ndryshme si ekonomia, energjetika etj., dhe Athina është një përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane të të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë vendin tonë.

Qëndrimi i qeverisë së Demokracisë së Re është se, edhe pse si opozitë nuk e mbështetën Marrëveshjen duke e cilësuar si të dëmshme për interesat kombëtare, si qeveri kanë detyrimin ta respektojnë, pasi bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare që e obligon çdo qeveri si pjesë e vazhdimësisë shtetërore.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

Ndryshimi i pushtetit tek ne vitin e kaluar e riktheu në fokus Marrëveshjen e Prespës, me mesazhe nga Athina se ajo duhet të respektohet, por një vit më vonë, komunikimi bilateral është mbajtur në nivel të ministrave të qeverive përkatëse.

Teksa pala jonë ka përmbushur pjesën më të madhe, ndoshta edhe të gjitha obligimet nga Marrëveshja e Prespës – si ndryshimi i emrit kushtetues, i Kushtetutës, pasaportave, targave, emrave të ministrive dhe institucioneve – nga pala greke vërehen disa vonesa, siç ka raportuar disa herë MIA në të kaluarën.

Tri memorandumet e bashkëpunimit, të nënshkruara në vitin 2019 dhe të dorëzuara për herë të parë në Parlamentin grek në shtator të vitit 2020, ende nuk janë ratifikuar. Kjo ndodhi edhe pse opozita SYRIZA i dorëzoi sërish vitin e kaluar. Po ashtu, nuk është mbajtur as mbledhja e dytë e Këshillit të nivelit të lartë.

Sipas Marrëveshjes së Prespës, Këshilli për bashkëpunim në nivel të lartë, i udhëhequr nga kryeministrat e të dy vendeve, duhet të mblidhet të paktën një herë në vit dhe është organi kompetent për zbatimin e marrëveshjes dhe planit të veprimit që rrjedh prej saj.

Mbledhja e parë dhe e vetme ndërqeveritare u mbajt në Shkup në prill të vitit 2019, gjatë vizitës së atëhershme të kryeministrit grek Alexis Tsipras. Mbledhja e dytë duhet të organizohet nga pala greke.

Zgjidhja e kontestit të emrit normalizoi plotësisht marrëdhëniet politike bilaterale, që hynë në një rrjedhë të rregullt me komunikim të shpeshtë, takime dhe vizita. Ajo solli edhe vizitën e parë zyrtare të një presidenti të Maqedonisë së Veriut në Greqi dhe të një kryeministri grek në vendin tonë.

Në tetor 2021, presidenti Stevo Pendarovski ishte kreu i parë i shtetit që vizitoi Greqinë dhe u prit me nderime të larta në Athinë. Ndërsa më pak se një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes, në prill të vitit 2019, kryeministri grek Alexis Tsipras vizitoi Shkupin dhe u mbajt Këshilli i parë për bashkëpunim në nivel të lartë me përfaqësues të dy qeverive, i bashkë-udhëhequr nga dy kryeministrat.

Megjithatë, kryeministri aktual grek nuk ka qenë ende në vizitë zyrtare, pune apo joformale në Shkup. Nuk është realizuar as vizita e kthimit e ish-presidentes greke Katerina Sakellaropoulou, edhe pse kishte një ftesë zyrtare nga homologu i saj maqedonas i asaj kohe.

Kryeministrat aktualë të të dy vendeve, Hristijan Mickoski dhe Kyriakos Mitsotakis, deri tani nuk kanë zhvilluar takim bilateral, e njëjtë është situata edhe në nivel presidencial.

Në vendin tonë vitin e kaluar, dhe në Greqi në shkurt të këtij viti, u zgjodhën presidentë të rinj.