SHBA-ja dhe Irani thonë se kanë shënuar përparim të kufizuar në bisedimet bërthamore

Rundi i pestë i bisedimeve bërthamore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit përfundoi në Romë me shenja të përparimit të kufizuar në negociatat për programin bërthamor të Iranit.

Negociatat, të cilat u ndërmjetësuan nga Omani në rezidencën e ambasadorit të këtij vendi në Itali, përfunduan pas rreth dy orësh të premten mbrëma.

Si Uashingtoni ashtu edhe Teherani mbajtën qëndrime të ashpra për çështjen e pasurimit të uraniumit nga Irani, por ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se ka mundësi për përparim në bisedime, pasi Omani paraqiti disa propozime.

“Sapo kemi përfunduar një nga rundet më profesionale të bisedimeve… Ne e shprehëm qartë qëndrimin e Iranit… Fakti që tani jemi në një rrugë të arsyeshme, sipas mendimit tim, është vetë një shenjë përparimi”, tha Araqchi për televizionin shtetëror.

“Propozimet dhe zgjidhjet do të shqyrtohen në kryeqytetet përkatëse… dhe rundi i ardhshëm i bisedimeve do të përcaktohet në përputhje me to”, shtoi ai.

Para bisedimeve, Araqchi shkroi në X se gjetja e rrugës drejt një marrëveshjeje “nuk është shkencë në vete”, duke shtuar: “Zero armë bërthamore = kemi marrëveshje. Zero pasurim uraniumi = nuk kemi marrëveshje. Është koha për të vendosur”.

Ministri i Jashtëm i Omanit, Mohammed Albusaidi, tha se rundi i bisedimeve përfundoi me “ca përparime, por pa ndonjë rezultat përfundimtar”.

Ai shpreson se “në ditët në vijim do t’i qartësojmë çështjet e mbetura, për të na mundësuar të ecim drejt qëllimit të përbashkët për një marrëveshje të qëndrueshme dhe të ndershme”, por nuk dha më shumë hollësi.

Një zyrtar i lartë amerikan, që nuk u identifikua, tha se bisedimet zgjatën më shumë se dy orë dhe ishin si të drejtpërdrejta, ashtu edhe të tërthorta përmes ndërmjetësve nga Omani.

“Bisedimet vazhdojnë të jenë konstruktive – kemi bërë përparim të mëtejshëm, por ende ka punë për të bërë. Të dyja palët u pajtuan të takohen sërish në një të ardhme të afërt. Jemi mirënjohës për partnerët tanë nga Omani për lehtësimin e vazhdueshëm”, tha zyrtari sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.

Pengesa kryesore është pasurimi i uraniumit nga Irani. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se Irani duhet të heqë dorë nga kjo për të arritur marrëveshje, në mënyrë që të mos e përdorë atë për zhvillimin e bombave atomike.

Megjithatë, për Iranin, vazhdimi i pasurimit të uraniumit është bërë çështje parimore, pasi ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi, tha se pasurimi do të vazhdojë “me apo pa marrëveshje”.

Administrata Trump mban qëndrimin se Irani duhet ta ndalë plotësisht pasurimin e uraniumit, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, tha rishtazi se qëndrimi i Uashingtonit është thelbësor, “sepse pasurimi mundëson armatosjen”.

Duke përsëritur këtë qëndrim, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha para një komisioni të Senatit më 21 maj se “çdo nivel i pasurimit të brendshëm është i papranueshëm dhe përbën kërcënim të drejtpërdrejtë”.

Një raport i ri këtë javë nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së tha se Irani “me shumë gjasë nuk është duke prodhuar armë bërthamore”, por “veprimtaria e tij në vitet e fundit e vë atë në pozitë të mirë për t’i prodhuar ato, nëse dëshiron ta bëjë”.

Irani është duke pasuruar uranium në shkallë 60 për qind pastërti, që është pranë shkallës së nevojshme për armë.

Irani thotë se, ndonëse është i gatshëm ta ulë këtë shkallë, i duhet uranium i pasuruar në 20 për qind për reaktorin e Teheranit.

Ndërkohë, fuqitë evropiane kanë kërcënuar se do të aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit automatik” të sanksioneve të OKB-së nga marrëveshja e vitit 2015, nëse Irani nuk arrin marrëveshje me SHBA deri në fund të qershorit.

E drejta për të përdorur këtë mekanizëm skadon në tetor, ndaj Irani, i cili ka paralajmëruar për pasoja nëse sanksionet rikthehen, është në garë me kohën.

Ndërkohë, raportohet se Izraeli po përgatitet t’i godasë qendrat bërthamore iraniane në rast të mungesës së një marrëveshjeje, gjë që ka bërë që Araqchi të paralajmërojë për “masa të veçanta” që Irani do t’i ndërmarrë, nëse sulmohet./REL