TetovaSot: Nga ndarja me Taravarin tek përkulja para Mickovskit, rruga pa kthim e Arben Fetahut nën hijen e Albin Kurtit!
Shkruan: TetovaSot
Në politikë, vjen një moment kur çdo individ duhet të zgjedhë midis kolltukut dhe kauzës, midis rehatisë personale dhe përgjegjësisë ndaj popullit që përfaqëson. Arben Taravari ka zgjedhur të largohet nga një qeveri që sistematikisht ka shkelur të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ka zgjedhur të qëndrojë në anën e popullit të tij, edhe kur kjo do të thotë të dalësh kundër strukturave të pushtetit, edhe kur do të thotë të përballesh me sulme, me presione, me tentativa për diskreditim.
Nga ana tjetër, Arben Fetai mundohet të bëjë një zgjedhje krejt të kundërt: të qëndrojë, të përfitojë, të mbijetojë politikisht me çdo kusht. Dhe për të justifikuar këtë qëndrim, ka marrë disa nga përkrahësit e tij dhe është nisur për në Prishtinë – jo për të kërkuar mbështetje për shqiptarët e Maqedonisë, por për të kërkuar një lloj bekimi personal nga Albin Kurti, në përpjekje për të prodhuar legjitimitet artificial në mungesë të një baze reale politike.
Por ky udhëtim në Prishtinë nuk është as i sinqertë, as strategjik. Është një përpjekje e dëshpëruar për t’i dhënë kuptim një pozicioni të papranueshëm: qëndrimit në një qeveri që nuk njeh gjuhën shqipe si të barabartë, që përjashton shqiptarët nga vendimmarrja, që i mban si numra dhe jo si partnerë. Dhe më e rëndë akoma – një qeveri e ndërtuar mbi një diskurs antishqiptar, e udhëhequr nga një parti që nuk ka fshehur kurrë qëndrimet e saj etno-nacionaliste dhe përjashtuese.
Të thuash sot se “ideali i përbashkët për zhvillim nuk njeh kufij”, ndërkohë që je pjesë e një pushteti që vendos kufij etnikë brenda vetë shtetit, është hipokrizi e pastër. Është përdorim i fjalëve të mëdha për të fshehur mungesën e vullnetit për të bërë gjëra të mëdha.
Albin Kurti sot është në një pozitë krejt tjetër nga ajo e vitit 2024. Me sfida serioze për të ndërtuar një qeveri stabile në Kosovë, ai nuk ka më as kapacitetin, as interesin që të merret me çështjet e brendshme të partive shqiptare në Maqedoni. Madje, në sytë e shumë shqiptarëve në Kosovë, përkrahja e dikurshme e tij për liderë të caktuar në Maqedoni nuk ka sjellë përfitime konkrete për shqiptarët e atjeshëm. Ndaj, edhe ky takim i fundit me Fetain është më shumë foto për Facebook sesa faktor real ndikimi.
Ndërkohë, situata në Maqedoninë e Veriut është më alarmante se kurrë. Shqiptarët përjashtohen nga proceset kyçe politike, bëhen objekt manipulimesh dhe përdoren si dekor institucional. Sot, të qëndrosh në një qeveri që shtyp shqiptarët, që nuk i përfaqëson denjësisht, që i nënshtron – është më keq se të heshtëje në kohën kur shqiptarët përndiqeshin nga regjimi serb në Jugosllavi. Sepse atëherë armiku ishte i njohur, i qartë. Sot, shtypja vjen nga një sistem që shqiptarët e ndihmuan të ngrihet me shpresën se do të ishin të barabartë.
Arben Fetai dhe disa individë përreth tij kanë zgjedhur të jenë pjesë e kësaj makinerie. E kanë bërë me vetëdije. Dhe këtë nuk e fshehin më – as me fjalë të zbukuruara për “vizion”, as me shëtitje nëpër Prishtinë. E kanë bërë me heshtje ndaj padrejtësisë, me bashkëpunim ndaj përjashtimit, me mbështetje ndaj dominimit politik të Mickoskit.
E ardhmja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk mund të ndërtohet mbi bazën e nënshtrimit. Nuk mund të ndërtohet mbi bazën e heshtjes përballë padrejtësisë. Ajo ndërtohet mbi qëndresën, mbi guximin, mbi ndershmërinë – vlera që, për fat të keq, nuk i shohim më në radhët e atyre që kanë zgjedhur të jenë brenda pushtetit të Mickoskit.
Historia do të kujtojë ata që zgjodhën të qëndrojnë me popullin, edhe kur kjo kushtonte. Po ashtu, ajo nuk do të harrojë ata që, për një vend pune a një kolltuk, vendosën të jenë nën “çizmen” e atyre që i trajtojnë shqiptarët si të huaj në tokën e vet.
Dhe sot kur Fetai shkoi te Kurti për fotografi si duhet ta shohin shqiptarët dhe anëtarët e Aleancës për Shqiptarët Arben Fetain?
Arben Fetai nuk mund të shihet më as si vizionar, as si reformator. Zgjedhjet e tij politike e kanë zhveshur nga çdo iluzion: sot, ai përfaqëson një nga dy gjërat – ose një lakmitar i pushtetit që është i gatshëm të nënshtrohet nën çizmen e Mickoskit vetëm për të ruajtur kolltukun, ose një përçarës i vetëdijshëm brenda Aleancës për Shqiptarët, që e ka vënë egon dhe ambiciet personale mbi interesin kolektiv të shqiptarëve dhe anëtarëve të ASH-së.
Kjo dilemë nuk është thjesht politike, por morale.
Në vend që të bashkëpunojë me anëtarët e ASH-së dhe shqiptarët për të forcuar faktorin politik shqiptar, për të ndërtuar një front të përbashkët kundër përjashtimit dhe diskriminimit, Fetai ka zgjedhur të shkojë drejt përuljes totale. Të jesh pjesë e një qeverie që të mban për numra, që të përjashton nga vendimmarrja, që të lë në hije dhe të përdor vetëm për fasadë, nuk është lojë politike – është nënshtrim. Është të pranosh goditjen në kokë me çizmen e Mickoskit dhe të buzëqeshësh sikur po bën “strategji”.
Dhe për çfarë? Për një post? Për pak pushtet simbolik? Për të ruajtur një pozitë personale ndërkohë që shqiptarët e thjeshtë ndihen më të përjashtuar se kurrë?
Rruga më e mirë për Arben Fetain do të ishte që, nëse vërtet i beson idealit të barazisë dhe të drejtës për përfaqësim të denjë, të bëjë hapin e vështirë por të drejtë: të bashkëpunojë me anëtarët e ASH-së, ASH-në, simpatuzesit e ASH-së dhe të dalë nga qeveria që përçmon shqiptarët, dhe të qëndrojë me popullin e vet.
Sepse përndryshe, historia do ta shohë si një figurë që zgjodhi përçarjen dhe nënshtrimin në emër të ambicies personale – dhe jo si dikë që luftoi për të drejtat e shqiptarëve në një nga momentet më kritike për ta.
Andaj patriot nuk të bën as fotografia me Albin Kurtin e as kafja në Prishtinë, por patriot të bën ndalimi i “çizmes” së Mickovskit që ju bën shqiptarëve.