“Nuk duam luftë”- Qytetet e Kashmirit të përfshira në konfliktin vdekjeprurës

Në qytetin Poonch, një nga zonat më të prekura të Kashmirit, konflikti midis Indisë dhe Pakistanit ka sjellë një përshkallëzim të dhunshëm, duke lënë pas vdekje dhe shkatërrim. Sulmet me raketa dhe bombardimet intensive kanë goditur fshatrat, duke shkaktuar panik dhe shqetësim te qytetarët. Kjo është një përballje tjetër, në një zonë të ngarkuar me tensione të vazhdueshme, ku pasojat e luftës prekin më së shumti civilët.

Teksa kamera rrotullohej rreth rrënojave të një shtëpie që ishte hedhur në ajër nga zjarri i raketave në Poonch, qytet kodrinor i shkatërruar në kufirin e diskutueshëm midis Indisë dhe Pakistanit, u dëgjua një grua duke bërtitur.

“Kjo është një fatkeqësi!”.

Videoja, e ndarë me Al Jazeeran nga vendasit në Poonch, shfaqi plot rrënoja, çarje të mëdha në mure e rroba të përlyera me gjak.

“Çdo gjë që kam ndërtuar është në rrënoja”, u dëgjua prapë zëri, i mbushur me ankth.

Të paktën 11 persona janë vrarë në rrethin e Poonch nga të shtënat pakistaneze në pjesën e Kashmiri që administrohet nga India që nga fillimi i 7 majit, në hakmarrje për sulmet indiane me raketa që goditën vende të shumta në provincën Punjab të Pakistanit dhe pjesën e Kashmirit që administrohet nga Pakistani.

Sulmet indiane – përgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve në Pahalgam, në pjesën e Kashmirit që administrohet nga India më 22 prill – shënojnë sulmin më të madh në tokën pakistaneze që nga lufta e tyre e vitit 1971. Megjithatë, ndërsa fqinjët e armatosur me armë bërthamore ndodhen në prag të një konflikti të mundshëm ushtarak, shumë qytetarë të Kashmirit thonë se po përballen me peshën kryesore të këtyre tensioneve. Bombardimi i Kashmirit të Indisë nga Pakistani, javën e kaluar, sipas vendasve dhe ekspertëve, ishte bombardimi më intensiv që fshatrat dhe qytetet në rajon kanë parë në më shumë se 40 vjet.

“Kjo ishte një natë terrori”, tha për Al Jazeeran, Rameez Choudhary, banor i Poonchit.

Të vdekurit, sipas zyrtarëve që kanë folur me Al Jazeera, përfshinin një djalë dhe një vajzë, vëlla e motër, që mbetën nën rrënoja pasi një predhë shpërtheu mbi shtëpinë e tyre; dy pronarë dyqanesh, lokale që u goditën nga municionet që binin; një fëmijë shtatëvjeçar; një djalë adoleshent; një amvise 35-vjeçare; dhe katër burra të tjerë.

Fshatrat më të prekura në distriktin Poonch ishin Shahpur, Mankote dhe Krishna Ghati, ndërsa bombardimet u intensifikuan edhe në zonat Laam, Manjakote dhe Gambhir Brahmana të distriktit Rajouri, ndërkohë që banorët ikën në vende të sigurta.

“Kjo luftë na është imponuar”

Përleshjet kufitare kanë pasuar sulmin vdekjeprurës në qytetin turistik Pahalgam në pjesën e Kashmirit të administruar nga India dy javë më parë, në të cilin u vranë 26 persona, kryesisht vizitorë indianë që pushonin në rajonin e diskutueshëm.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, javën e kaluar, avionë ushtarakë indianë nisën operacionin. U gjuajtën raketa dhe municione të tjera në Pakistanin fqinj.

Autoritetet indiane thanë se ata shënjestruan të paktën nëntë vende brenda Pakistanit.

India akuzon Pakistanin për mbështetjen e grupit të armatosur që sulmoi turistët indianë. Megjithatë, Pakistani e ka mohuar akuzën. India pretendon se raketat e saj goditën “kampe bazash terroriste”, por Pakistani thotë se sulmet vranë 31 persona, të cilët ishin “civilë të pafajshëm”.

Shkalla dhe përhapja e tensioneve aktuale ushtarake – India goditi katër qytete të ndara nga qindra kilometra në provincën Punjab të Pakistanit, përveç vendeve në pjesën e Kashmirit që e administron Pakistani – i bën ato edhe më të rënda, në disa mënyra, sesa lufta e fundit midis fqinjëve në vitin 1999, thonë disa ekspertë.

Në atë kohë, ushtarakët e ushtrisë pakistaneze ishin maskuar si luftëtarë rebelë dhe kishin zënë pozicione në malet e mbuluara me borë dhe të thepisura të Kargilit, territor nën kontrollin de facto të Indisë, duke çuar në një konflikt. Qindra ushtarë vdiqën nga secila palë, por betejat – ndryshe nga kjo javë – u përmbajtën në Kargil.

“Kjo luftë na është imponuar. Sulmi i Pahalgamit kishte për qëllim të provokonte një situatë në të cilën nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të kundërsulmojmë”, tha Tara Kartha, drejtoreshë në Qendrën për Studime të Luftës Tokësore (CLAWS), organizatë kërkimore me seli në New Delhi, dhe një ish-zyrtare në Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Indisë.

Sigurisht, vendet ishin pranë luftës në vitin 2019 pas sulmit vdekjeprurës në qytetin Pulwama në Kashmirin jugor, kur nga një sulm vetëvrasës u hodh në erë një autokolonë paraushtarake indiane, duke vrarë 40 ushtarakë indianë. Avionët luftarakë indianë qëlluan me raketa që goditën Balakotin në pjesën e Kashmirit të administruar nga Pakistani.

Por sipas Karthës, kriza aktuale është ndryshe nga ato të mëhershmet.

“Të dyja palët e menaxhuan me kujdes krizën e vitit 2019. Gjithçka u mbajt e kufizuar në një kufi të caktuar. Por këtë herë, ka qenë brutale”, tha ajo, ndërsa argumentoi se “India ka qenë shumë e matur”. Qeveria ushtarake dhe civile e Pakistanit, megjithatë, e ka akuzuar Indinë për nxitjen e konfliktit dhe përshkallëzimin e tensioneve.

Në vijën e parë të përballjes së tyre janë banorët e Kashmirit. Të mërkurën e kaluar, tri rajone të ndryshme në pjesën e administruar nga India u goditën nga bombardimet pakistaneze.

“Fillimisht, menduam se ishte bubullimë. Qielli gjëmoi në orën 1 të mëngjesit”, tha për Al Jazeera Altaf Amin, banor 22-vjeçar i fshatit Chandak në Poonch.

“Nuk duam luftë”

Poonch është vetëm 10 km larg nga kufiri i kontestuar që ndan territoret e kontrolluara nga India dhe Pakistani në Kashmir. “Bombardimet kanë vazhduar herë pas here që nga e mërkura. Por tani, janë ndalur”, tha Amin. Mirëpo një gjë është e qartë. “Nuk duam luftë”, tha Amin.

Megjithatë, ka edhe zemërim në terren kundër autoriteteve lokale.

“Njerëzit në Poonch janë të zemëruar sepse nuk pati asnjë përpjekje për t’i evakuuar”, tha për Al Jazeera Zafar Choudhary, një analist politik dhe gazetar veteran me nga rajoni i Jammu-së.

Choudhary tha se sulmet nga pala pakistaneze duhej të ishin parashikuar nga qeveria indiane dhe njerëzit duhej të ishin evakuuar për të shmangur viktimat.

“Por asnjëra nga këto nuk ndodhi, gjë që i ka lënë njerëzit të zemëruar. Ekziston një ndjenjë se sa herë që ka shpërthyer problemi midis dy kombeve ndërluftuese në të kaluarën, janë njerëzit e këtyre rajoneve kodrinore ata që e kanë mbajtur peshën e tij”, tha ai.

Armët gjëmojnë përsëri

Linja e Kontrollit të Përkohshëm (vija që ndan territorin – LC) përshkon një rrugë rrethore prej 740 km përmes maleve, kreshtave të pyllëzuara, liqeneve alpine dhe lumenjve të rajonit të diskutueshëm të Kashmirit. Kjo linjë u krijua në vitin 1949 pasi India dhe Pakistani, zhvilluan luftën e tyre të parë për Kashmirin, i cili atëherë ishte një nga 565 shtetet princërore të sunduara indirekt nga Britania kolonialiste.

Ndërsa të dy vendet mblodhën ushtritë e tyre me pretendime për të marrë kontrollin e rajonit piktoresk, ata përfundimisht u pajtuan me një bllokim që i detyroi ata të njihnin sferat e ndikimit të njëri-tjetrit. Vija ndarëse u njoh nga Kombet e Bashkuara, të cilat u përpoqën të ndërmjetësonin një referendum në Kashmir në mënyrë që populli i tij të mund të zgjidhte të ardhmen e tij.

Vota nuk u zhvillua kurrë dhe të dy kombet vazhduan përplasjet herë pas here përgjatë kufirit të diskutueshëm. Pas luftës së vitit 1971 që Pakistani e humbi ndaj Indisë, vija e armëpushimit u riemërua si Linja e Armatimit. Në vitin 2003, pas një kryengritje më shumë se një dekadëshe në Kashmir filloi të qetësohej dhe të dy vendet filluan një proces paqeje për të lehtësuar armiqësitë. India shfrytëzoi periudhën e armëpushimit për të rrethuar anën e saj të Linjës së Armatimit me bobina teli.

Të dy vendet ranë dakord për një marrëveshje armëpushimi që e rinovuan në vitin 2021.

Katër vjet më vonë, ajo marrëveshje praktikisht është bërë copë-copë.

“Bombardim i paprecedentë”

Amin, fshatari në Chandak, tha se megjithëse duelet me artileri kanë qenë të zakonshme në zonën kufitare, armët kishin rënë relativisht në heshtje që kur të dy vendet riafirmuan marrëveshjen e armëpushimit të vitit 2003 katër vjet më parë. “Ne jemi mësuar me bombardimet ndërkufitare. Por ky bombardim është i paprecedentë”.

Një banor tjetër nga Poonch, vendi ku ka pasur më shumë dëme, tha se njerëzit atje tani kanë filluar të ndjekin një sërë protokollesh lufte të shpallura nga qeveria, duke përfshirë ndërtimin e bunkerëve të improvizuar.

Banorët thanë se shumë shkolla në Chandak janë shndërruar në qendra ndihme, me furnizime me ushqim dhe gjëra të tjera thelbësore.

Gati 260 km larg nga distrikti Poonch, banorët e Salamabad, fshat kufitar në distriktin Baramulla, Kashmiri verior, kanë ikur gjithashtu nga shtëpitë e tyre.

“Mbrëmë, bombardimet ishin aq intensive sa dy shtëpi u dogjën dhe shumë njerëz u plagosën në zjarrin nga përtej kufirit”, tha Mushtaq Ahmad, 40 vjeç, një shofer taksie nga fshati. Ahmad tani është zhvendosur.

Salamabad, i cili rrethohet nga një vend i mbuluar me pisha që shtrihet deri në Pakistan, është shkatërruar nga bombardimet pothuajse të vazhdueshme. Shpërthime të fuqishme kanë shkatërruar çatitë prej hekuri nga shtëpitë, duke i ekspozuar ato ndaj rrezeve të forta të diellit. Zjarri i shkaktuar nga bombardimet ka përfshirë lagjet, duke lënë pas mbeturina që digjen.

“Kemi frikë nga më e keqja”, tha Ahmad, duke shtuar se dy vajzat e tij, të moshës 9 dhe 11 vjeç, janë të frikësuara.

“Ato po pyesin pse ndodhi? A do të vriteshim?” thotë Ahmad, duke shtuar se bombardimet ndërkufitare filluan në orën 2 të mëngjesit të mërkurën dhe lanë të plagosur dy të mitur – një vajzë 13-vjeçare dhe një djalë katërvjeçar.

Ghulam Muhammad Chopan, banor 80-vjeçar, tha se ndihej shumë i vjetër për të dalë nga shtëpia e tij, por se nuk kishte zgjidhje tjetër.

“Në këtë moshë, më duhej të largohesha nga shtëpia ime. Natën, të shtënat ishin aq intensive sa në agim, fshati ishte bosh. Të gjithë ikën”, tha ai.

Në qytetin Wuyan në Pampore, zonë malore e rrethuar nga një labirint shkëmbinjsh ku rritet shafrani i çmuar i Kashmirit, banorët e qytetit thanë se u zgjuan nga gjumi në orën 1:30 të mëngjesit pasi dëgjuan një zhurmë të fortë bubullimash.

“Një top zjarri shpërtheu me një shkreptimë”, tha Gulzar Ahmad, banor. “Mund të shihja dy avionë. Njëri prej tyre u kthye menjëherë. Por tjetri që shpërtheu, mbetjet e tij kishin rënë në oborrin e një shkolle. Më vonë, filloi të lëshonte tym të zi”.

Pakistani pretendon se rrëzoi pesë avionë luftarakë indianë të mërkurën në mëngjes. Ndërsa raporte të shumta të pavarura sugjerojnë se të paktën tre aeroplanë u rrëzuan me të vërtetë, India ende nuk ka konfirmuar ndonjë humbje të tillë.

Ndërsa pasiguria vazhdon mbi përshkallëzimin e tensioneve midis Indisë dhe Pakistanit, vendasit në pjesën e Kashmirit që administrohet nga India janë të frikësuar dhe të pasigurt për të ardhmen e tyre.

Banorët kanë filluar të grumbullojnë ushqim, karburant dhe artikuj të tjerë thelbësorë, të shqetësuar dhe të dëshpëruar për ta mbijetuar dhunën që nuk e deshën kurrë.

“Nuk duhet të bëhet kurrë thirrje për luftë. Kur bien predhat, ato nuk të pyesin për identitetin”, tha Farooq Ahmad, një banor i fshatit Kamalkote në Uri. “Ata që bëjnë thirrje për luftë nuk e dinë se si ndihesh kur një predhë bie mbi fëmijët e tu kur ata janë në gjumë natën”.