Dua Lipa pjesë e mbi 400 figurave të njohura britanike që kërkojnë mbrojtje më të fortë të të drejtës së autorit përballë AI-së

Më shumë se 400 emra të mëdhenj të industrisë kreative në Mbretërinë e Bashkuar – përfshirë yjet si Dua Lipa, Sir Elton John dhe Sir Paul McCartney – kanë nënshkruar një letër të hapur drejtuar kryeministrit Keir Starmer, duke kërkuar mbrojtje më të fortë ligjore për të drejtën e autorit përballë zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale.

Letra, e publikuar pak ditë para një votimi vendimtar në Dhomën e Lordëve, bën thirrje për miratimin e një amendamenti në Projektligjin për Përdorimin dhe Qasjen në të Dhëna. Ky amendament do t’i detyronte kompanitë që zhvillojnë AI – përfshirë ato që krijojnë modele si ChatGPT – të deklarojnë hapur cilat përmbajtje krijuese përdorin për trajnimin e sistemeve të tyre.

Lexo edhe:
Ana Ivanoviç e Bastian Schweinsteiger ndahen pas 9 vitesh martese, ja ç’parashikonte kontrata
“Nuk jemi kundër përparimit teknologjik,” thuhet në letrën e përbashkët të nënshkruesve, “por kërkojmë transparencë dhe mbrojtje të drejtës së autorit, e cila është thelbësore për mbijetesën ekonomike dhe morale të krijuesve në Mbretërinë e Bashkuar.”

Ndër nënshkruesit janë edhe emra të tjerë të njohur nga bota e muzikës, televizionit dhe artit si grupi Coldplay, këngëtarja Florence Welch, Robbie Williams, producenti Russell T Davies (Doctor Who), Mark Ronson dhe Annie Lennox, si dhe dhjetëra organizata përfaqësuese të sektorit të artit dhe mediave.

Baronesha Beeban Kidron, autore e amendamentit, theksoi se krijimtaria njerëzore nuk duhet të vihet në rrezik për shkak të interesave të disa kompanive të mëdha teknologjike. “Britania mund të jetë lidere në zinxhirin global të AI-së – por vetëm nëse sigurojmë transparencë dhe treg të ndershëm për licencimin e përmbajtjes.”

Nga ana tjetër, një zëdhënës i qeverisë deklaroi se po zhvillohet një analizë e thelluar për të vlerësuar ndikimin ekonomik të ndryshimeve të propozuara. “Do të veprojmë vetëm kur të jemi të sigurt se çdo ndryshim është në interes të krijuesve dhe të sektorit në tërësi,” u shpreh ai.

Votimi përfundimtar për projektligjin pritet të mbahet të hënën, më 12 maj.