“Reisi” i proceseve gjyqësore që nuk e njeh drejtësinë islame

Shaqir Fetai gëzohet sepse “ka humbur Qaniu”, jo sepse “ka fituar e drejta”. Ky është
deformimi më i rrezikshëm i konceptit të udhëheqjes – kur personalja vlen më shumë se
kolektivja, dhe kur hakmarrja ka përparësi mbi obligimin fetar dhe moral

Nga Mr. Eset Shaqiri

Nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më e qartë se Shaqir Fetai, i vetëemëruari “reis” i Bashkësisë
Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk është as përfaqësues i unitetit fetar, as
zëdhënës i interesave islame, e as mbrojtës i vakëfit, por thjesht një burokrat gjyqësor, që i
gëzohet më shumë humbjes së tjetrit sesa fitores së të përbashkëtës. E turpshme, por e vërtetë:
gëzimi i tij nuk buron nga triumfi i së drejtës, por nga rrënimi personal i rivalëve të vet.
Rasti më i fundit që nxori në pah këtë mentalitet të prishur është fitorja gjyqësore ndaj Qani
Nesimit, myftiut të Tetovës. Në vend që të tregojë maturi, urtësi dhe përkushtim ndaj pajtimit
mes bashkëpunëtorëve të një kauze të përbashkët fetare, Shaqir Fetai del publikisht dhe e shfaq
hapur entuziazmin e tij për një vendim gjyqësor (por jo për përfundimin e procesit gjyqësor!) që
e kompromenton myftiun e një zone me peshë të madhe në jetën islame të vendit – Tetovës. A
thua vallë, çfarë udhëheqësi fetar është ky që për vëlla në fe ka gjyqtarin dhe jo dijetarin?
Absurdi shtohet edhe me gëzimin e tij të madh për humbjen e procesit gjyqësor për një pronë-
Teqen që gjendet në territorin e Myftinisë së Tetovës. Pavarësisht ku gjendet prona vakufore,
pronari është BFI-ja! A nuk do duhej të ishte ky një alarm për Bashkësinë që ka humbur një
objekt të saj? A nuk do duhej të reagohej me shqetësim, me zemërim, me thirrje për drejtësi dhe
për rikthimin e pronave vakufore? A nuk do të duhej të ishin në shënjestër të Shaqir Fetait
institucionet shtetërore që po ndihmojnë në vjedhje dhe në uzurpim të pronës vakufore të BFI-
së? Por jo, Shaqir Fetai gëzohet sepse “ka humbur Qaniu”, jo sepse “ka fituar e drejta”. Ky është
deformimi më i rrezikshëm i konceptit të udhëheqjes – kur personalja vlen më shumë se
kolektivja, dhe kur hakmarrja ka përparësi mbi obligimin fetar dhe moral.
Por kjo nuk është hera e parë që Fetai hesht aty ku duhej të ulërinte dhe ulëret aty ku duhej të
lutej. Ai nuk ka ngritur asnjë proces gjyqësor ndaj shtetit që për dekada me radhë i ka shkelur të
drejtat e myslimanëve: që nga uzurpimi i xhamive, transformimi i tyre në kisha, muze apo
magazina, e deri te diskriminimi i hapur përmes regjistrimit të “bashkësive fetare” të shpikura,
me qëllim për ta dobësuar BFI-në. Në këto raste, reis Fetai hesht. Ai nuk sheh as xhami të
shkatërruara, as të drejta të dhunuara, as obligime që shteti i ka ndaj komunitetit islam. Por kur
është fjala për të luftuar kundër një bashkëpunëtori të vet, për të rrëzuar një myfti me të cilin
ndan përgjegjësi fetare, atëherë Fetai zgjohet dhe vërsulet me të gjitha institancat gjyqësore të
shtetit. Me ndihmën e po atij shteti që e injoron në rastet jetike për fenë, siç ishte rasti me
Medresenë Isa Beu.
Shembulli më flagrant është xhamia e djegur e Prilepit, gjatë konfliktit të vitit 2001. Një objekt i
shenjtë i rrënuar, një plagë që ende rri e hapur në trupin e besimtarëve. A ka ndërmarrë ndonjë
hap Shaqir Fetai që shteti ta rindërtojë këtë xhami? A ka dorëzuar një padi? A ka kërkuar një

vendim gjykate? Asnjëherë! Sepse aty nuk ka “Qani” për ta mposhtur. Aty është vetëm
përgjegjësia për t’i qëndruar besnik amanetit të një populli që i ka besuar. Dhe këtë amanet,
fatkeqësisht, Fetai e ka tradhtuar me indiferencë të thellë.
Ky njeri, që e përkufizon suksesin e vet me humbjet e të tjerëve falë lobimeve dhe korrupcionit
të lehtë, që përzgjodhi heshtjen përballë padrejtësive shtetërore dhe veproi me zell vetëm kur
ndjeu aromën e hakmarrjes personale, nuk është reis i besimtarëve. Ai është thjesht një menaxher
i konflikteve, një aparatçik me mentalitet të vogël, që në vend të ndërtimit të bashkësisë, zgjedh
të rrënojë lidhjet brenda saj.
Dhe ky realitet është alarmant për gjithë besimtarët myslimanë të këtij vendi.