Ahmeti: E vlerësojmë qëndrimin e Taravarit, kësaj jave do të mblidhen të gjitha organet partiake dhe do të diskutohet për zgjedhjet
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një deklaratë për mediat theksoi se partia e tij dhe “Fronti Evropian” ende nuk kanë marrë vendim se si do të garojnë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.
– Kjo çështje ende nuk është diskutuar. Do të thirren të gjitha partitë e “Frontit Evropian” dhe do të shqyrtohet e gjithë situata – theksoi Ahmeti gjatë vizitës së tij në fshatin Svillare të Shkupit.
I pyetur nëse ka ndonjë marrëveshje me Arben Taravarin për zgjedhjet lokale, Ahmeti tha se gjatë kësaj jave do të mblidhen të gjitha organet partiake dhe do të diskutohen të gjitha çështjet.
– Ende nuk ka bisedime përfundimtare. BDI ende nuk i ka thirrur organet udhëheqëse të partisë. Gjatë kësaj jave do të thirren organet më të larta të partisë për të shqyrtuar të gjitha situatat. Natyrisht, e vlerësojmë hapin e guximshëm të Taravarit, sepse ai shumë herët e kuptoi se kjo qeveri nuk është gjë tjetër veçse një qeveri anti-shqiptare – theksoi Ahmeti.
Lideri i BDI-së tha gjithashtu se e vlerëson vendimin e Taravarit për t’u larguar nga “VLEN”.
– Ende nuk është ndërtuar ndonjë strategji. Z. Taravari më duket se tha “unë nuk kam lindur në qeveri” dhe në momentin që ajo bëhet e papranueshme, ai mund të largohet. Por këto janë çështje të zotit Taravari, nuk janë çështje të BDI-së, as të “Frontit Evropian”, janë çështje të brendshme që z. Taravari duhet t’i menaxhojë – deklaroi Ahmeti.