Si ndodhi vrasja e djalit të ish-komandant Arushës afër Bit Pazarit në Shkup, MPB jep detaje

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë dhënë detaje shtesë nga përleshja e djeshme me armë zjarri në Duqanxhik të Shkupit, ku si pasojë mbeti i vrarë 31-vjeçari Alajdin Sulejmani, djali i ish-komandantit të UÇK-së, Nazmi Sulejmani-Arusha nga Haraçina.

Sipas MPB-së, personat kishin ardhur në vendin e ngjarjes me motoçikletë, ndërsa sipas njoftimit, 31-vjeçari ndërroi jetë në ora 16:00, pasi u transportua në spital.

“Më datë 25.04.2025 rreth orës 14:00, në SPB-Shkup është raportuar se në Rrugën “Vojdan Çernodrinski” në rajonin e Bit Pazarit ka të shtëna me armë zjarri. Në vendngjarje kanë mbërritur zyrtarë policorë të Stacionit të Policisë Bit Pazar dhe efektivë të Njësisë së Policisë Intervenuese, të cilët kanë konstatuar se ka pasur përplasje me armë zjarri mes dy personave të cilët kanë mbërritur me motoçikletë dhe kanë filluar të qëllojnë në drejtim të një personi që ndodhej tashmë në vendngjarje, pas çka A.S. (31) nga Shkupi ka marrë plagë nga gjuajtjet dhe është u transportuar në Kompleksin Klinik “Nënë Tereza”, ku rreth orës 16:00 ka ndërruar jetë. Në vendngjarje u gjetën disa gëzhoja dhe u dëmtuan disa vitrina nga dyqanet aty pranë, si dhe disa automjete të parkuara”, thuhet ne raportin e MPB-së.