Në ambientet e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tetovës u mbajt një ligjëratë me temë: “Biznesi, inovacioni dhe krijimi i pasurisë afatgjate”, nën mentorimin e prodekanit për shkencë, Prof. Dr. Bardhyl Dauti.
Ligjërata u realizua nga z. Arian Etemi, njëri nga aksionerët e kompanisë së njohur “NORMAK”, me të cilën Universiteti i Tetovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, me fokus të veçantë te perspektiva e studentëve.
Ky aktivitet kishte karakter praktik dhe synonte të orientojë të rinjtë drejt hapave të parë në botën e biznesit. Kompania “NORMAK” është zotuar të ofrojë mbështetje për studentët përmes ekspertizës teknike, teknologjike dhe “know-how”-it të saj, duke kontribuar në ndërtimin e një baze të fortë për suksesin e tyre në të ardhmen.
Gjatë ligjëratës u theksuan disa mesazhe kyçe për sipërmarrjen:
Kompanitë e mëdha lindin nga ide origjinale;
Nuk ekziston një formulë e vetme për sukses në biznes;
Çdo mundësi e madhe ndodh vetëm një herë – nuk kopjohet dot suksesi;
Biznesi kërkon mendim të lirë e kreativ, jo modele të gatshme.
Përmes këtij aktiviteti, Fakulteti Ekonomik i UT-së vazhdon të ndërtojë ura konkrete mes arsimit dhe industrisë, duke ofruar mundësi reale për zhvillim profesional të studentëve. Kjo është një dëshmi e qartë se vetëm përmes bashkëpunimeve të tilla ndërtohet një e ardhme më premtuese për gjeneratat e reja.