Mickovski: Nuk mund të ketë një shoqëri evropiane nëse prokurori zgjedh se ndaj kujt do të ngrejë çështje dhe kujt do ta heshtë
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se reformat në sektorin e drejtësisë janë më të nevojshmet për të realizuar çdo reformë tjetër. Sipas tij, nuk mund të ketë një shoqëri evropiane nëse prokurori zgjedh se ndaj kujt do të ngrejë çështje dhe kujt do ta heshtë, nëse gjykata merr vendime sipas zgjedhjes së qendrave politike dhe jo sipas Kushtetutës dhe ligjeve, dhe nëse qytetari humb besimin se mund të marrë drejtësi.
Mickoski shtoi se përgjegjësia e politikanëve është të krijojnë kushte për depolitizimin e plotë të sistemit të drejtësisë, mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga presionet politike dhe biznesore, si dhe mekanizma të ndryshëm për mbikëqyrjen e jashtme dhe llogaridhënien e vërtetë të institucioneve që luftojnë korrupsionin.
Ai theksoi se çdo komb ka momentet kur duhet të zgjedhë mes stagnimit të rehatshëm dhe nevojës për reforma të thella dhe guximtare, duke shtuar se shteti është në një moment të tillë, në një kryqëzim mes sistemit të vjetër dhe të ardhmes evropiane. Plani për rritje dhe agjenda e reformave janë instrumente për shëndoshjen e shoqërisë dhe, sipas tij, integrimet dhe rritja janë kompas, por reformat duhet të jenë vendime dhe politika kombëtare.
Mickoski gjithashtu tha se korrupsioni është një problem sistematik dhe jo një devijim individual. Ai theksoi se korrupsioni në vend është pjesë e mënyrës së funksionimit të disa segmenteve të shoqërisë dhe është një sistem që mbron veten.