Pas konstatimit të “vetëpërjashtimit” të ASH-së së Arben Taravarit nga koalicioni VLEN, krerët e VLEN-it po shqyrtojnë edhe mundësinë për heqjen e tij nga koalicioni VLEN. Pas deklaratave të kreut të krahut tjetër të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili tha se është njoftuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti se ka pasur dy, tre takime me Arben Taravarin, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami deklaroi se është jo e natyrshme që dikush që bashkëpunon me opozitën, të jetë pjesë e ekzekutivit.
“Është e panatyrshme që një subjekt politik në qeveri të bashkëpunon me një subjekt apo me opozitën, të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë. Ne si VLEN sollëm vendimin për të cilin është i njohur opinioni. Sigurisht që tash në koordinim me pjesën tjetër të qeverisë, me partnerët e qeverisë, do të sjellim vendimin e fatit do të kisha thënë, të qeverisë dhe koalicionit qeveritar, por edhe njëherë po e përsëris që çdokush që bashkëpunon me BDI-në dhe Ali Ahmetin, të cilin ne e kemi akuzuar dhe vazhdojmë ta akuzojmë për korrupsion, për krim dhe keqpërdorim njëzet vjeçar të pozitave publike, nuk është e mundur të jetë pjesë e qeverisë, por përsëri them, është një vendim formal që duhet ta biem si partnerë të koalicionit qeveritar”, tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Ai shtoi se pret që përkrahja e qeverisë të rritet, ndërsa deklaroi se koalicioni VLEN në zgjedhjet e fundit ka fituar 107 mijë vota, sipas tij, të pastra shqipe për dallim nga koalicioni i Frontit Evropian, i cili sipas Kasamit ka përfshirë edhe komunitet tjera etnike dhe në këtë mënyrë VLEN vazhdon të ketë legjitimitetin për ti përfaqësuar shqiptarët në qeveri.
“Vlerësojmë se të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve e ka koalicioni VLEN. Përsëri këtu e kam thënë dhe vazhdojë të insistojë në atë që çdo subjekt që largohet nga VLEN nuk e ka përkrahjen e këtyre 107 mijë votave që i ka marrë koalicioni VLEN, prandaj pa marrë parasysh numrin e deputetëve vlerësoj se koalicioni VLEN vazhdon të ketë mbështetjen e qytetarëve të atyre 107 mijë votave që ka marrë dhe e ka legjitimitetin”, tha Kasami, i cili shtoi se gjithkush i cili del nga ky koalicion nuk e ka më mbështetjen e 107 mijë votave. “E kam thënë dhe vazhdoj të insistoj në atë që çdo subjekt që largohet nga VLEN, nuk e ka përkrahjen e këtyre 107,000 votave të cilat i ka marrë koalicioni VLEN, prandaj pa marrë parasysh numrin e deputetëve, unë vlerësoj që koalicioni VLEN vazhdon të ketë mbështetjen dhe përkrahjen e qytetarëve, të atyre 107.000 votave të cilat i ka marrë dhe sigurisht të ketë edhe legjitimitetin, por këtu të sqarojmë opinionin që unë pres që në ditët në vijim, kur do të merret edhe vendimi formal në kuadër të qeverisë, për hapat e mëtutjeshëm, që numri dhe përkrahja e qeverisë të rritet dhe jo të zvogëlohet”, tha Kasami.
Përndryshe, kryetari i ASH-së, pjesë e Frontit Europian, Ziadin Sela në një emision në TV21 deklaroi se Taravari nuk ka biseduar vetëm një herë në telefon me kreun e integristëve Ali Ahmeti, por që janë takuar disa herë. “Unë po them se nuk janë biseda në telefon, se unë jam i informuar, por janë takime. Dy ose tre takime që i kanë bërë bashkërisht z.Ahmeti dhe z.Taravari, kështu që nuk është bisedë në telefon. Gazetari: E keni ditur, apo ju kanë kanë treguar? Jo e kam ditur. Domethënë ju ka thënë z.Ahmeti se do të takohet me Arben taravrin? Po, po”, është përgjigjur Sela.
Ndaj gjithë këtyre reagimeve në emër të tij, Arben Taravari ka vendosur që të përgjigjet me një status të shkurtë të cilin e ka shpërndarë në rrjetin social Facebook. “Unë kam vetëm një busull orientimi: Popullin! Ai është ndërgjegjja ime, zëri im, forca ime!”, ka shkruar Taravari Facebook. Ndërkohë në opinion janë bërë publike informata që kryeministri Hristijan Mickoski pritet ti takojë krerët e VLEN-it për të diskutuar largimin e mundshëm të Arben taravarit nga koalicioni qeveritar. Ndërkohë, zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, ka theksuar se qeveria aktuale gëzon stabilitet të plotë dhe nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Shumica është stabile, kemi thuajse ⅔ e deputetëve. Nuk shoh asnjë nevojë që qeveria të shpenzojë miliona euro për zgjedhje të panevojshme,” deklaroi Mexhiti. Ai shtoi se përqendrimi i ardhshëm i koalicionit është në zgjedhjet lokale, ku sipas tij, VLEN-i do të dalë fitues absolut. Mexhiti tha se për këtë qëllim, koalicioni do të bashkëpunojë edhe me organizatat jo-qeveritare dhe, nëse paraqitet nevoja, edhe me kandidatë mbipartiak në disa komuna. Nga ana tjetër, Ziadin Sela ka deklaruar se në Frontin Europian ende nuk ka marrëveshje për zgjedhjet lokale. Sela thotë se ka kohë deri në tetor, duke paralajmëruar zhvillime politike, ndërkaq thekson se koalicionet funksionojnë deri sa ka marrëveshje, ndërsa theksoi se ai parapëlqen që Fronti Europian të shkojë bashkë edhe në zgjedhje lokale.
“Në parim, ka një marrëveshje paraprake që Fronti Europian në zgjedhje lokale të shkojë bashkë, njësojë siç ishte në zgjedhje parlamentare, por a ka marrëveshje të detajuar, të thotë se si do të shkojë në zgjedhje lokale Fronti. A do të ndahen komunat dhe gjithë këto, jo nuk ka një gjë të tillë. Pse duhet të them unë një gjë të tillë. Pse duhet të them unë se ka, kur një gjë të tillë akoma nuk ka. Zgjedhjet lokale mbahen në tetor, deri në tetor do të ketë goxha, do të ketë zhvillime politike. Parimisht një koalicion funksionon deri në momentin që ka marrëveshje. Tani, zgjedhjet lokale Frontin Europian e kanë gjetur bashkë , e pëlqyeshme është që të ketë marrëveshje edhe për zgjedhjet lokale bashkë Fronti Europian”, tha Sela. Ai tha se është mirë që sa më herët të ketë marrëveshje në Front në lidhje me zgjedhjet lokale. “Nuk është që është vonë, por e pëlqyeshme do të ishte që të ndodhë edhe më herët, ka kohë akoma. Unë kam qenë ithtar i idesë që më herët ne t’i dimë pozicionimet. Çdo subjekt brenda Frontit Europian, se ku ndodhet”, pohoi Sela.
Përndryshe zgjedhjet lokale pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti, ndërsa BDI insiston që së bashku me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.(koha.mk)